16 Dhjetor
Pas një viti çdo familje do të mund të zgjedhë nga cila kompani do të blejë energji elektrike. Kjo është një nga ndryshimet kryesore që duhet ti sjellë ligji i ri për energjetikë. Nuk dihet se sa kompani do të paraqiten para qytetarëve me oferta konkrete dhe pako për furnizim me energji elektrike, apo sa do të jetë konkurrenca e madhe, apo e vogël në këtë treg, e cila tani është në duart e EVN-së. Çdo familje do mund të zgjedhë pakon që i përshtatet asaj, ngjashëm siç është tani me shërbimet e telekomunikacionit.
Si do të dakordohen qytetarët është shumë delikate. Shpresoj se shteti do të sigurojë informacion transparent mbi atë çfarë ofrojnë këto tregtarë, me çfarë kushte. Qytetarët do të duhet të mendojnë ose të zgjedhin cilën pako të shërbimeve do ta pranojnë- deklaroi Konstantin Dimitrov, MACEF.
Megjithatë, familjet do mund të zgjedhin të mos pranojnë asnjë nga ofertat e kompanive – furnizuese. Në këtë rast rrymë do të mund të marrin nga i ashtuquajturi ofrues universal, i cili do të përzgjidhet në tender nga shteti. Nga Qeveria thonë se liberalizimi i plotë i tregut do të sjellë konkurrencë më të madhe, si dhe çmime më të mira për qytetarët. Sipas profesor Dimitrovit, askush nuk mund të parashikojë sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike.
Supozojmë se shteti ka për obligim që mos ta rrisë çmimin. A thua mund të ndërhyjë shteti në atë, me siguri se po. Mund të gjejë një formë, por nëse ndërhyn kjo do të thotë se nga diku duhet të transferojë fonde për ti mbuluar këto dallime në çmime- theksoi Konstantin Dimitrov.
Dimitrov tha se një nga pikat e forta të propozim ligjit është se ai ju mundëson qytetarëve shpejt dhe me lehtësi ta ndërrojnë furnizuesin nëse konstaton se një furnizues tjetër ju ofron kushte apo pako më të favorshme të energjisë elektrike. Siç pritet, Ligji për Energjetikë, që duhet të jetë një harmonizim i tregut të brendshëm me rregulloret evropiane do të miratohet në muajt e parë të vitit 2018.
Mirko Trajanovski

