Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev para disa kohësh thirri një takim liderësh në të cilin takim do të bisedohej për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, fatin e Prokurorisë Speciale Publike, Regjistrimin e popullsisë dhe shumë tema tjera me rëndësi, shkruan Almakos.
Thirrja e kryeministrit Zoran Zaev deri te liderët e opozitës hasi në vesh të shurdhër, edhe pse me një këmbë, thirrjen e pranoi Zijadin Sela nga Aleanca për shqiptarët dhe BDI-ja. Takimin në këtë tryezë tejet të rëndësishme edhe për fatin e shqiptarëve e refuzoi VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj Hristijan Mickovski, me arsyetimin se nuk ka çka flet me Zoran Zaevin përveç temës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Edhe pse tema e takimit të liderëve që duhej mbajtur ishte tejet me rëndësi për shqiptarët e RMV në opinion doli informacioni se udhëheqësi i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami është takuar me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në faqen zyrtare të Lëvizjes Besa u bë publike ky takim ku u fol për thellimin e bashkëpunimit strategjik midis Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit dhe VMRO-DPMNE-së të Hristijan Mickovskit.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Besës i refuzuan deputetët e LSDM-së dhe BDI-së në komisionin për zgjedhje dhe emërime, të kryesuar nga Ilija Dimovski, në të cilën do të debatohet për për Këshillin Programor të RTVM-së dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Agjencisë për Media. Deputetë nga shumica qeverisëse kërkuan që vetëm këto dy pika të diskutohen (ato janë vënë në rend dite) ndërsa 14 pikat tjera të shtyhen pas pushimeve.
Por me 7 vota kundër, 6 deputetët nga VMRO-DPMNE dhe një nga Besa propozimi u refuzua.
Opinioni tashmë është i njohur edhe me qëndrimet e VMRO-DPMNE-së nën udhëheqjen e Hristijan Mickovskit në raport me shqiptarët, ku në garën për president, si dhe në kampanjën e referendumit haptas shprehej urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve e trashëguar nga regjimi i Nikolla Gruevskit.
Nën kushtet kur procesi i reformimit të ASHMA si dhe të RTVM është interes për shqiptarët, pasi që pritet që programi në gjuhën shqipe në Radio Shkupi të bëhet 24 orë dhe të kryhen mbi 100 punësime shqiptare, Lëvizja Besa bëhet palë me VMRO-DPMNE-në kundër interesave të shqiptarëve dhe për poena të imta politike.
Si duket Lëvizja Besa dhe krerët aktual të saj, pas uzurpimit të partisë dhe vulave nga grupi legal i saj, tashmë edhe haptas po del kundër shqiptarëve duke u bërë pjesë e agjendave të VMRO-DPMNE-së.
Bllokimi i Këshillit të RTVM-së nënkupton edhe bllokimin e zbatimit të ligjit për program 24 orësh në gjuhën shqipe si dhe punësimin e mbi 100 gazetarëve shqiptar.



