Koalicioni Rilindje me Besë dhe Lidhja SocialDemokrate e Maqedonisë dorëzojnë ankesat e tyre deri tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, për parregullsitë që kanë vërejtur gjatë votimit si dhe mospërputhje të rezultateve nga terreni me ato të KSHZ-së.
Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa, tha se bëhet fjalë për disa vendvotime në njësinë e dytë dhe të gjashtë zgjedhore, ku lëvizja Besa ka hasur në një sërë parregullsish që e kanë dëmtuar këtë parti me dy mandate. Sejdiu tha se e kanë dorëzuar një pjesë të ankesave të tyre për vendvotimet në njësinë e dytë zgjedhore, ndërkaq deri në përfundimin e afatit për dorëzim të ankimimeve do të dorëzohet edhe pjesa tjetër për njësinë e gjashtë zgjedhore, të dhëna këto që janë në përpunim. Sejdiu tha se kanë argumente për këto manipulime dhe për të njëjtat presin transparencë nga KSHZ.
“Janë vendvotime të rrethinës së Likovës, kemi në Haraçinë, në Tetovë në malësi për të cilat konkretisht dhe taksativisht do të dorëzojmë parashtesa… Kemi mbi 1000 vota që jemi dëmtuar në të gjitha njësitë zgjedhore. Ne konstatojmë se këto keqpërdorime flagrante që kanë ndodhur, patjetër që do të përsëriten.“, deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA.
Lidhja Socialdemokrate poashtu për shkak të parregullsive që kanë hasur gjatë procesit zgjedhor, deri në afatin e paraparë për ankimime do të dorëzojnë ankesat e tyre në KSHZ. Nga kjo parti thonë se nëse të njëjtat pranohen do të marrin një mandate në njësinë e gjashtë zgjedhore, me çka pohojnë se do të fitojnë tanimë 50 mandate njësoj si VMRO DPMNE. Deri në këto momente partitë tjera akoma nuk kanë dorëzuar ankimimet e tyre.