Dega e Lëvizjes BESA në Saraj shpreh shqetësimin e saj të thellë që për më shumë se një muaj ndërmarrja komunale në kuadër të Komunës së Sarajit, e cila është përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave, aspak nuk i kryen detyrat e saj ndaj qytetarëve dhe rrugët e kësaj lagje tashmë janë përplot me mbeturina.
“Kjo është një papërgjegjshmëri e skajshme e kësaj ndërmarrjeje, e cila – edhe pse nuk e kryen detyrën e saj me rregull – vazhdimisht kërkon nga qytetarët që të paguajnë për këtë shërbim.
Nisur nga kjo apelojmë deri te ndërmarrja komunale dhe Komuna e Sarajit që urgjentisht ta kryejnë detyrimin e tyre ndaj banorëve të lagjes së Sarajit edhe në këto pak muaj që u kanë mbetur për ta drejtuar Komunën”, kanë reaguar nga Lëvizja BESA.
Ata kanë theksuar se me ardhjen e Lëvizjes BESA në krye të kësaj komune “jo vetëm që me përgjegjësi të lartë do kryhen të gjitha detyrimet ndaj banorëve, por kjo ndërmarrje do funksionojë sipas standardeve më të larta profesionale dhe standardeve evropiane për mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave”.