Lëvizja BESA dënon fjalorin ofendues dhe denigrues të kandidatit të LSDM – BDI-së, Visar Ganiut, që përdori ndaj kandidatit të Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi. Ky fjalor tregon se të ashtuquajturat fytyrat e reja të BDI-së nuk mund të lirohen nga energjia negative që ëstë grumbulluar në këtë subjekt.
Ky fjalor reflekton frikën që ka kapluar shefat e Visarit nga humbja e cila i pret më 15 tetor. E kuptojmë frikën e tyre, sepse pas 15 tetorit do të duhet të japin përgjegjësi për veprat dhe krimin që kanë bërë ndaj Shkupit tonë të vjetër. Megjithatë përdorimi i ofendimeve nga ana e Visar Ganiut nuk arsyetohet. Nëse ai është i pastër dhe fytyrë e re, siç po proklamohet, nuk duhet të frikohet nga fitorja e Zekës, por duhet t’i gëzohet kësaj fitore.
Me fitoren e BESËS dhe Zekës çlirohet Çairi, e bashkë me Çairin edhe Visar Ganiu do të çlirohet nga prangat e shefave, të cilët përkohësisht janë tërhequr në prapaskenë. Ata po shpresojnë se shqiptarët do të mashtrohen dhe prapë do të votojnë partinë e tyre, që më pas të kthehen në komunë, respektivisht në vendin e krimit për të vazhduar aty ku kanë mbetur.
Shpresat e tyre janë të kota, sepse shqiptarët janë ngopur nga fytyrat e reja të BDI-së, që nuk sjellin asgjë të re.
Fjalori që përdori Visar Ganiu është ofendues për personat me nevoja të veçanta, të cilët janë pjesë e pandashme e shoqërisë. Është për të ardhur keq që logjika e BDI-së thotë se këta persona duhet përjashtuar dhe izoluar nga shoqëria. Kërkojmë që ky fjalor të dënohet nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim që të krijohen kushte për fushatë fer dhe korrekte, pa ofendime.

