Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët ushtarake në fillim të shtatorit, në një tjetër sinjal të forcimit të bashkëpunimit të sigurisë mes tre vendeve përballë kërcënimit nga Koreja e Veriut. Stërvitja, e quajtur “Freedom Edge”, do të zhvillohet nga 7 deri më 11 shtator në ujërat ndërkombëtare në lindje dhe jug të ishullit Jeju, njoftoi të premten Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut. Sipas autoriteteve ushtarake në Seul, stërvitja është mbrojtëse dhe synon rritjen e gatishmërisë së tre vendeve për t’iu përgjigjur kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Phenianit, si dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Në stërvitje pritet të përfshihen operacione të ndryshme, mes tyre mbrojtja ajrore, lufta kundër nëndetëseve, mbrojtja kibernetike dhe kundërvënia ndaj raketave balistike. “Freedom Edge” u zhvillua për herë të parë në qershor 2024, pas marrëveshjes së liderëve të tre vendeve në samitin historik të zhvilluar në Camp David.
Një zëdhënëse e Komandës së Paqësorit të SHBA-së tha se stërvitja do të kontribuojë në rritjen e ndërveprimit mes forcave amerikane, koreanojugore dhe japoneze, si dhe në forcimin e partneritetit të tyre të mbrojtjes në rajonin e Paqësorit.
Njoftimi për “Freedom Edge” vjen vetëm pak ditë pasi përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat përfunduan më 21 gusht. Këto manovra u zhvilluan në një format të reduktuar, pasi Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi shkurtimin e tyre. Trump ka kritikuar më herët stërvitjet ushtarake amerikano-koreanojugore, duke i konsideruar ato si provokuese ndaj liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Në të njëjtën kohë, Trump ka sinjalizuar se synon të takohet me Kim Jong Un brenda këtij viti, në përpjekje për të rifilluar dialogun me Phenianin. Megjithatë, Koreja e Veriut nuk ka dhënë deri tani shenja të qarta se është e gatshme t’u përgjigjet pozitivisht këtyre përpjekjeve. Pheniani ka vijuar testimet raketore dhe ka dënuar vazhdimisht stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
/rtsh.al/



