Grupi parlamentar i Levicës do të dorëzojë në Parlament një projektligj për heqjen e të drejtës diskrecionale të drejtorëve në institucionet publike shëndetësore gjatë punësimeve. Me këtë nismë, parashikohet që kandidatët më të mirë të renditur të zgjidhen përmes konkurseve transparente, me kritere të qarta, të matshme dhe të verifikueshme.
Sipas Levicës, ky projektligj është një hap i domosdoshëm për të eliminuar praktikat e vjetra të nepotizmit, partizimit dhe klientelizmit, duke e detyruar respektimin e listave të renditjes dhe kritereve objektive në punësime. “Shëndetësia publike prej dekadash është e ngarkuar me nepotizëm sistemik, partizim dhe klientelizëm, ku lidhjet familjare dhe përkatësia partiake vlerësohen më shumë se profesionalizmi dhe integriteti. E drejta diskrecionale e drejtorëve është shndërruar në mekanizëm institucional për riprodhimin e privilegjeve, duke e kthyer shëndetësinë publike në një sistem të mbyllur të punësimeve partiake dhe të trashëguara”, thuhet në njoftimin e Levicës.
Si pasojë e këtyre politikave, sipas tyre, punonjësit më të kualifikuar dhe më të lartë të renditur janë sistematikisht të përjashtuar nga sektori publik dhe të detyruar të vazhdojnë karrierën në klinikat private ose jashtë vendit. Kjo, sipas Levicës, përbën një goditje të rëndë për shëndetësinë publike, pasi shteti investon në arsimimin e kuadrove shëndetësore, ndërsa përfitimet i marrin strukturat private, shtetet e huaja ose sektorë të tjerë. Në të njëjtën kohë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore përballet me shpenzime shtesë për trajtime në klinika private dhe jashtë vendit, ndërsa pacientët shpesh detyrohen të shesin pasuri për t’u kuruar. Nga Levica bëjnë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin projektligjin dhe të vendosen në anën e interesit publik, të punonjësve shëndetësorë dhe pacientëve.


