BASHKOHUNI NË QEVERISJE
( letër e hapur Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferrit)
Të nderuar zotërinj, ju drejtohem me këtë letër të hapur me shpresën se nuk i drejtohem as “djallit “dhe as “tradhtarit”por dy njerëzve të rëndësishëm, në duart e të cilëve rrethanat politike e kanë vënë mundësinë e rallë për t’u treguar e dëshmuar se janë në nivelin e duhur të moralitetit njerzor, politik e intelektual. Ju drejtohem me shpresën se brenda individualiteteve tuaja politike ka akoma mjaft fluiditet njerzor, moral e politik.
Fushata zgjedhore dhe zgjedhjet kaluan. Rezultatet flasin qartë se populli shqiptar në Maqedoni aktualisht i përkrah me shumësi opsionet politike që udhëhiqen prej jush. Dallimet në përkrahje janë të vogla. Numri i deputetëve shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë është ky që është. Për kualitetin e kandidatëve shqiptarë për deputetë nuk duhet folur. Çdo respekt rariteteve, por me shumicën e kandidaturave jemi turpëruar të gjithë. Çasti i pikërishëm politik e shtron nevojën e domosdoshmërisë së shtrimit të analitikës për mëtutjeshmërinë e veprimit. Ky çast e shtron përpara drejtuesve të politikës shqiptare në Maqedoni dilemën e madhe se a duhet vepruar me politikat e ndarjes në qeverisje si deri më tani, apo duhet ndërruar shumëçka. Është bindje e përgjithshme se në qeverisje, me sistemin solo, fuqia politike e votës shqiptare minimalizohej.
Një kyçje e tillë në qeverisje nuk i mundësoi maksimalizim kërkesës shqiptare as në qeverisjet e paraluftës e as në qeverisjen e pasluftës. Është një përvojë që u dëshmua si joadekuate. Me një kyçje të tillë në qeverisje, vazhdoi të thellohet edhe më shumë hendeku i ndarjes brendashqiptare. E gjithë energjia politike, në vend se të koncentrohej në sublimimin dhe realizimin e qindpërqindtë të interesit vital shqiptar, derdhej kaptikashtazi në zënka e keqpërdorime. Shumëpërqindshmërisht u rrënua sistemi i vlerave. Në të shumtën e rasteve në qeverisje kyçeshin partizanët partiakë, të dëgjueshmit, të paaftët, joautoritativët, joprofesionistët, të korruptueshmit, etj.
Bërthama e vërtetë profesionale e intelektuale shqiptare u shty në margjina, për aq sa edhe te faktori ndërkombtar është krijuar bindja se shqiptarët e Maqedonisë nuk e kanë krijuar akoma qenësinë e tyre mentale politike.
Të nderuar zotërinj, partia mandatare maqedonase ndoshta do ta ftojë vetëm njërën nga partitë që drejtoni ju për të marrë pjesë në qeverisjen e re. Do të bënit mirë që cilado nga partitë që do të ftohej , partisë mandatare maqedonase t’i vendoste fillimisht një kusht: kushtin e futjes në qeveri të të dyja partive fituese shqiptare. Ky do të ishte gjesti i parë i dëshmimit të fillimpjekjes së politikës shqiptare këtu. Ky do të ishte fillimi i respektimit të votës shqiptare edhe nga partnerët maqedonas në qeverisje.
Ky lloj i kyçjes në qeverisjen e re do të mundësonte eleminimin e shumë dobësive që janë shprehur në qeverisjet e deritanishme: do të eliminonte mundësinë e armiqësimit dhe etiketimit të mëtutjeshëm të politikanëve shqiptarë; do të mundësonte relaksimin e atmosferës shumë të rënduar e të ashpërsuar në elektoratin shqiptar; do të mundësonte krijimin e një materjeje programore më atraktive e më subtile në drejtim të qeverisjes kualitative; do të eliminonte padrejtësimin e madh që u është bërë në të gjitha qeverisjet e deritanishme kuadrove e punëtorëve shqiptarë në procesin e punësimit në bazë të përkatësive politike e partiake; do të eliminonte mosmundësinë e marrjes për drejtim e qeverisje nga shqiptarët të resorëve dhe ndërmarrjeve të rëndësishme publike në nivel republike etj; do të krijoheshin kushte për absorbimin në qeverisje të kuadrove kualitative shqiptare që kallaballëku i mosvlerës dhe shtyrja me krahë e të dyshimtëve i ka hedhur në margjina, nga ku nuk kanë si të bëhen të dobishëm as për veten as për shoqërinë; do të krijoheshin kushte shumë më të mira për sjelljen e një numri ligjesh shumë të nevojshme, që do rregullonin meritorisht statusin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, statusin e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, statusin e invalidëve shqiptarë të luftës dhe mirëqenien e familjeve të tyre, statusin e luftëtarëve shqiptarë të 2001-shit, statusin e të burgosurve politikë shqiptarë, etj; do të krijoheshin kushte shumë më të mira për sigurimin e përgjithshëm të jetës së qytetarëve, me ç’rast do të shtoheshin gjasat për joshjen e investitorëve nga brenda dhe nga jashtë, masë kjo që do ndikonte dukshëm për uljen e papunësisë dhe rritjen e standardit jetësor; do të krijoheshin kushte shumë më të favorshme për shtyrjen më tutje të punëve rreth zgjërimeve në USHT, dhe në institutet e themeluara në kuadër të USHT-së; do shtoheshin mundësitë e realizimit të shumë përcaktimeve programore të të dy partive, të propaguara përpara elektoratit; etj…
Është çasti dhe rasti i mirë për të hequr nga mendësia politike hijen e vjetëruar të së keqes dhe pamendsinë e veprimit. Është rasti i mirë të hidhni mbi supet e juaja xhupet e ndërgjegjes në udhëtimin e mëtutjeshëm. Udhëtimi me shokë është më i sigurt se udhëtimi vetëm. Përgjatë tehut të kësaj jete të gjithë kanë qenë dhe të gjithë jemi kalimtarë. Në këtë botë përjetësore askujt asgjë s’i takon përjetësisht. Përveç kujtimit për kalimtarin e bardhë ose të zi… (Nga arkivi i agjencisë së lajmeve INA)
Me respekt,
Shazim Mehmeti