VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në se po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë politike për situatën në Gostivar, duke theksuar se kjo parti, së bashku me strukturat që drejtojnë pushtetin lokal, mban përgjegjësi për gjendjen në komunë.
Deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, deklaroi se LSDM gjatë muajit të fundit nuk ka kërkuar përgjegjësi nga pushteti lokal dhe as nuk e ka pranuar përgjegjësinë e saj politike si pjesë e qeverisjes në Gostivar.
“Prej një muaji LSDM ikën nga e vërteta, ndërsa e vërteta është se së bashku me Limanin e ndajnë pushtetin lokal dhe, rrjedhimisht, edhe përgjegjësinë për Gostivarin”, deklaroi Lefkov.
Nga VMRO-DPMNE pretendojnë se LSDM, në vend që të përballet me problemet dhe të marrë përgjegjësi për krizën me furnizimin me ujë, ka vazhduar me akuza politike ndaj partisë në pushtet.
Lefkov tha se, për shkak të asaj që ai e cilësoi si paaftësi të LSDM-së, BDI-së dhe partisë së Taravarit, Qeveria është detyruar të përfshihet drejtpërdrejt në tejkalimin e problemit me furnizimin me ujë në Gostivar.
Sipas tij, Qeveria është angazhuar që nga fillimi i krizës dhe ka ndërmarrë masa për furnizimin e qytetarëve me ujë.
“Derisa LSDM merrej me akuza dhe numërimin e çezmave nëpër shtet, Qeveria ishte që nga momenti i parë me qytetarët e Gostivarit dhe ndërmori masa për tejkalimin e krizës, duke i furnizuar banorët çdo ditë me ujë pa pagesë”, tha Lefkov.



