Nga grumbullimi i Milanit në Singapor, vetëm pak orë para ndeshjes miqësore ndaj Arsenalit që do të hapë turneun para-sezonal Azi/Paqësor 2025, Rafael Leao ka folur për “Sky Sport” dhe “Rai Sport”, duke komentuar momentin e ekipit dhe marrëdhënien me trajnerin e ri, Massimiliano Allegri.
“Jam shumë i kënaqur me trajnerin Allegri. Është një person që ka fituar më parë me Milanin dhe di si të menaxhojë dhomën e zhveshjes. Kujdeset për të gjithë dhe ndërhyn shumë në stërvitje. Mendoj se është dikush që mund të japë shumë dhe të më ndihmojë të bëj një sezon të madh,” u shpreh ylli portugez.
Leao theksoi edhe ndjesinë që të jep fanella e Milanit: “Të luash për këtë klub është një ëndërr. Kam fituar disa trofe të rëndësishëm, por gjithmonë ka vend për më mirë. Duhet të bëjmë një sezon të madh, sepse Milani meriton të rikthehet në Champions League dhe të luftojë për trofe të rëndësishëm.”
Në një intervistë të dhënë edhe për “Rai Sport”, Leão u ndal te mungesa në kompeticionet evropiane këtë sezon: “Objektivi është rikthimi në Champions. Nuk do të jetë e lehtë, sepse ka shumë skuadra të forta dhe të organizuara.
Nga njëra anë, është pozitive që luajmë vetëm një herë në javë, sepse kemi më shumë kohë për stërvitje dhe për të përvetësuar idetë e trajnerit. Por nga ana tjetër, të mos luash në Champions do të thotë të mos përballesh me ndeshjet e mëdha që çdo futbollist dëshiron të luajë.”
Së fundmi, ai foli edhe për pritshmëritë personale dhe sezonin që vjen: “Nuk e shoh si sezon i rikthimit personal, por njerëzit presin gjithmonë më shumë nga unë dhe edhe unë vetë dua të përmirësohem gjithmonë. Kur skuadra funksionon mirë, atëherë dalin në pah edhe individualitetet”.