Lëvizja Demokratike (LD) hedh poshtë çdo spekulim se ka komunikim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
“LD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin.
Lëvizja Demokratike distancohet qartë dhe pa ekuivoke nga çdo strukturë politike që e ka shndërruar korrupsionin në mënyrë qeverisjeje dhe shtetin në mjet për pasurim personal.
LD mbetet e palëkundur në vizionin e saj për një politikë të pastër, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Demokratike.
Edhe Lëvizja BESA mohon komunikimin me BDI-në.
“Pa dashur ta paragjykojmë kuptimin e saktë të deklaratës së z. Taravari se – përveç atij – edhe liderët e tjerë të VLEN-it kanë komunikim me Ali Ahmetin, për shkak të korrektësisë me anëtarësinë e Lëvizjes BESA, të organeve partiake dhe mbështetësve tanë, më duhet të sqarojmë se as kryetari Bilall Kasami dhe asnjë eksponent tjetër i Lëvizjes BESA nuk ka komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim.
Qytetarët dhe mbështetësit e Lëvizjes BESA e dijnë mirë, se që nga themelimi dhe deri më tani, asnjëherë nuk kemi qenë në komunikim me BDI-në, kur ajo është dashur të shpëtohet nga bëmat e saj, e as këtë herë nuk ka asnjë arsye për të pasur madje edhe kanal komunikimi me të. Nëse do të kishte, do të ishte i hapur dhe para qytetatëve.
Ali Ahmeti është fajtori i përveçëm i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sa më shpejtë që pensionohet politikisht, aq më mirë për të dhe për shqiptarët.
Ndërsa VLEN-i ka kuptim vetëm aq sa e ruan distancën politike me BDI-në”, thuhet ne reagimin e Levizjes BESA.
Ka reaguar edhe partia “Alternativa”
“Me qëllim të sqarimit për opinionin, por edhe për të qenë korrekt me organet e strukturat partiake, si edhe me anëtarësinë dhe mbështetësit, deklarojmë publikisht se AlternAtivA nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj.
Përtej kësaj, AlternAtivA gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave nongrata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin.
Duke mbetur konsistentë në qëndrimin se VLEN-i është koalicion i ndërtuar për afirmimin e vlerave të moralit të ri politik dhe për vendosjen e standardeve të reja politike, AlternAtivA vlerëson se adresa e mbrojtjes së interesave shqiptare është duke komunikuar me popullin dhe duke i mbrojtur interesat e tyre në mënyrë të përpiktë dhe dinjitoze”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Këto reagime të dy partive të VLEN-it vijnë pas deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravarit, i cili në një intervistë televizive deklaroi se krerët e të gjitha partive të VLEN-it kanë kanale komunikimi me BDI-në.