Filantropi shqiptar dhe sipërmarrësi i njohur, Lazim Destani në një intervistë ka folur për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë si dhe ato të 11 majit në Shqipëri.
Ai ka thënë se mërgata shqiptare ka rëndësi të madhe dhe roli i saj është i pamohueshëm në zgjedhje.
Destani ndër tjera u bëri thirrje mërgimtarëve që të marrin pjesë masovisht në zgjedhje dhe të japin kontributin e tyre.
“Unë fillimisht dua të ftoj të gjithë mërgimtarët që kanë të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë në zgjedhjet e Kosovës. Ndërsa regjistrimi dhe votimi i mërgatës shqiptare është një çështje të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të jashtëzakonshme të gjithë ne së bashku. Më në fund po realizohet ajo që qeveritë dhe institucionet shqiptare kanë premtuar për dekada të tëra – që edhe mërgatës t’i mundësohet e drejta e votës jashtë vendit”, u shpreh sipërmarrësi i njohur Destani.
Lazim Destani foli po ashtu edhe për rolin e rëndëishëm që mediat kanë në informimin e saktë të mërgimtarëve për afatet dhe mënyrën e regjistrimit në votime
“Ne po punojmë për informimin dhe regjistrimin e një numri sa më të madh të votuesve, sepse votimi i mërgatës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, kur dihet se roli i saj është i pazëvendësueshëm për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit”, u shpreh ai ndër tjera.
“Ne e mbështesim fuqishëm realizimin e kësaj të drejte, sepse vota e mërgatës është votë për atdheun dhe votë për demokracinë. Zëri i mërgatës duhet të dëgjohet edhe përmes votimeve. Qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera kanë punuar shumë për realizimin e kësaj të drejte. Ndërsa ne tani duhet ta shfrytëzojmë këtë dhe të japim kontributin tonë edhe në këtë mënyrë. Diaspora meriton të jetë pjesë e formësimit të së ardhmes së atdheut”, theksoi Destani.