Shërbimet e gjyqit gjatë vikendit nuk do të tentojnë t’ia dorëzojnë vendimin për vuajtjen e dënimit me burg prej dy vjetësh ish kryeministrit Nikolla Gruevski për rastin “Tanku”, thonë për REL nga gjyqi.
Prej atje thonë se njëra nga mundësitë është që vendimi t’i dërgohet në adresë shtëpiake, ndërsa tjetra personalisht t’i dorëzohet të hënën, kur duhet të paraqitet në seancë për rastin “Titanik”.
Nikolla Gruevski as mëngjesin e sotëm nuk është paraqitur në gjyq. Dje atë e kanë kërkuar nga korrierët e gjykatës për t’ia dorëzuar vendimin me të cilin refuzohen ankesat ndaj vendimit për dy vjet burg. Por, në tre tentativat e bëra ne banesën e tij, korrierët kanë takuar vetëm bashkëshorten e Gruevskit e cila ka njoftuar se i kërkuari nuk ndodhet në shtëpi.
Ndryshe, ish kryeministrit nuk është i marrë mandati dhe me këtë ai vazhdon të ushtrojë funksionin e deputetit.