“Moska e ndez konfliktin në Kosovë”, ky është titulli i gazetës italiane, La Repubblica për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Gazeta italiane shkruan se politikanët dhe policët serbë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër Qeverisë së Kosovës dhe se për këtë “kryeministri akuzon Rusinë” dhe se “Beogradi e ka vendosur ushtrinë në gatishmëri”.
Këtë herë shpërthimi është edhe më afër Italisë, shkruan La Repubblica. Një zjarr mbi të cilin fryjnë me kokëfortësi emisarët e Kremlinit, me të njëjtin qëllim si për pushtimin e Ukrainës: të vihet në dyshim arkitektura e sigurisë në Europë e projektuar në tridhjetë vitet e fundit. Duke filluar nga ku filloi gjithçka: Ballkani.
Para zyrtarëve të kësaj partie, policët serbë të shtunën i zhveshën uniformat e Policisë së Kosovë. Sipas Listës Serbe, s’ka më asnjë serb në institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë dhe Parlamentin. Ky vendim erdhi pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr dorë nga vendimi për zëvendësimin e targave të automjeteve, të cilat lëshohen nga Serbia.
Thirrjes së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës i janë përgjigjur sot katër kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposavicit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilët kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen. Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të komunës veriore po ashtu edhe këshilltarët nga radhët e Listës Serbe kanë vendosur të largohen nga posti. Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviç, ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij është situata aktuale politike e shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të pushtetit në Prishtinë.
Veprimi i zyrtarëve serbë në veri të Kosovës vjen vetëm një ditë pasi Komandantët e Policisë së Kosovës që i përkasin komunitetit serb, të shtunën hoqën uniformat e tyre.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse këtë institucion e kanë braktisur edhe rreth 400 oficerë tjerë të komunitetit serb në katër komunat veriore. Dorëheqjen e dhanë edhe zyrtarë të Listës Serbe si dhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor.
Ata kanë bërë të ditur se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Albin Kurtit të tërheqë vendimin për targat dhe të filloi punën për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. Në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit EULEX. Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.
Megjithatë një video që është publikuar në rrjetet sociale ka rritur friken për nxitjen e tensioneve. Në pamjet shihet një automjete me targa ilegale KM dhe disa persona të maskuar të cilët janë të armatosur. “Jemi kthyer, Kosova është Serbi, Krimea është Rusi” dëgjohen personat në video.
Mirëpo videoja nuk mund të konfirmohet nëse është filmuar ditët e fundit apo është xhirim i vjetër i vitit 2014./abcnews.al/