Vazhdon debati në seancën konstituive të Kuvendit, por jo për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, por për qerim hesapesh mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov ka kujtuar kolegët se po krijojnë një praktikë të keqe parlamentare.
“Po krijojmë praktikë për ta vrarë demokracinë. Askush nuk është kundër që të ketë debat. Megjithatë, është e papranueshme të lejoni replika dhe kundër replika të deputetëve nga e njëjta parti. Kudo në botë, pas zgjedhjeve pason krijimi i Kuvendi në mënyrë solemne.
Krsto Mukoski, deputet i VMRO-DPMNE, në replikën e tij i tha Shilegovit se bëhet qesharak kur tregon kujdes për qytetarët.
“Bëheni qesharak, kur dukeni të kujdesshëm. Kur ju merrnit pagë pa qenë prezent në Kuvend, nuk i flisnit për atë se sa para po harxhohen. Ju të flitni për krim? Flitni më shumë mes vete, kush është kriminel, kush është i falur. Ka qytetar të shqetësuar në rrugë që nuk pajtohen me ju. Me mashtrime keni ardhur në pushtet në vitet 90-ta, njëjtë erdhët edhe më 2002. Populli nuk ju beson më”, tha mes tjerash Mukoski.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot pasdite e vazhdoi mbledhjen konstitutive në të cilën debatohet për zgjedhje të kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në Komisionin për çështje të emërimeve dhe zgjedhjeve, transmeton Gazeta Express.
Të paraqitur për pikën e parë – zgjedhje e kryetarit dhe anëtarëve të Komsionit janë 51 deputetë për diskutim. Në Komision VMRO-DPMNE do të përfaqësohet me gjashtë anëtarë, LSDM do të ketë pesë, ndërsa BDI dhe BESA nga një anëtar.
Nga VMRO-DPMNE për anëtarë janë propozuar Ilija Dimovski, Antonio Milloshoski, Kërsto Mukoski, Daniella Rangellova, Dimitar Stevananxhija dhe Bllagica Llasovska, nga LSDM Goran Misovski, Damjan mançevski, Petre Shilegov, Muhamed Zekiri dhe Ivana Tufekxhoq, nga BDI Xhevat Ademi dhe nga BESA Zeqirja Ibrahimi.
Konstatimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për zgjedhje të kryetarit të Parlamentit. Mbledhja konstitutive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor 2016, por u ndërpre, sepse nuk ishte siguruar shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Shtëpisë ligjvënëse. Në rend dite të mbledhjes është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.