15 Janar
Me 61 vota “Pro”, 1 të përmbajtur dhe pa prezencën e opozitës u ratifikua Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Bullgarisë. Ministri I Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksoi se me marrëveshjen në fjalë mbrohen interesat nacionale të të dyja vendeve, edhe përkundër asaj se asnjëra palë nuk është plotësisht e kënaqur.
As ne e as Bullgaria nuk jemi të kënaqur me këtë tekst, sepse në marrëveshje nuk janë përfshirë pozicionet fillestare të asnjërës palë. Megjithatë është fakt se me marrëveshjen dy vendet rritemi, japim sinjal se edhe në rajonin tonë mund të sillemi në mënyrë evropiane. Marrëveshja I përmban interesat nacionale të shtetit tonë, I përmban edhe interesat e palës bullgare – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Dimitrov nga ana tjetër kritikoi ashpër opozitën e cila sipas tij duhet të tejkaloj vetveten dhe të mbështesë çdo përpjekje për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
Do të ishte mirë që opozita sot të ishte këtu dhe do të ishte mirë ta mbështeste këtë marrëveshje. Shpresoj se do të gjejnë forca që në të ardhmen për hapa të tjerë të rëndësishëm për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, për perspektivat euro-atlantike, të jenë kooperativ dhe të jenë këtu. Veçanërisht për shkak se nevoja për këtë marrëveshje doli nga politika që i përkeqësoi marrëdhëniet deri në atë gjendje, sa pala tjetër të insistonte të nënshkruhej kjo marrëveshje – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Përveç opozitës, ratifikimin e marrëveshjes nuk e mbështeti edhe deputeti I shumicës parlamentare, Ferid Muhiq. Muhiq votoi I përmbajtur për shkak se sipas tij, Maqedonia kishte “lëshuar pe” më shumë sesa Bullgaria dhe se si e tillë kjo marrëveshje shkel parimet ndërkombëtare.
Në parim marrëveshjet për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim bëhen mbi parimin e reciprocitetit dhe janë simetrike. Më duhet të them se kjo marrëveshje nuk bën pjesë në këtë standard, nuk është krijuar mbi parimin e reciprocitetit dhe nuk është tërësisht simetrike – u shpreh Ferid Muhiq, LSDM.
Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë parashikon bashkëpunimin e dy vendeve në sferën e euro-integrimeve, me ç’rast Bullgaria me përvojën e saj do ta ndihmojë Maqedoninë që sa më parë t’i plotësojë kriteret për anëtarësim në BE dhe NATO; rritjen e bashkëpunimit në sferën e kulturës, arsimit, shëndetësisë, politikës sociale, sportit, turizmit si dhe në sferën juridiko-konsullare; lehtësimin e formaliteteve doganore dhe kufitare; ruajtjen e kontakteve dhe takimeve mes autoriteteve të të dyja vendeve; sigurimin e kushteve për lëvizjen më të gjerë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit; formimin Komisionit të përbashkët multidiciplinor të ekspertëve, për interpretim shkencor të ngjarjeve historike; organizime të përbashkëta për ngjarje historike; përhapje të lirë të informatave. Bazuar në dispozitat e Marrëveshjes asnjëra palë nuk mund të ndërmerr, nxit a mbështet veprime kundër palës tjetër; secili shtet mund të mbrojë interesat e qytetarëve të vetë në territorin e shtetit tjetër, ndërkaq Maqedonia garanton se me asgjë në Kushtetutën e saj nuk synon përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë. Marrëveshja u nënshkrua në Shkup më 1 gusht të vitit 2017 nga kryeministrat, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Për implementimin e të njëjtës do të kujdeset Komisioni I përbashkët ndër-qeveritar, me të cilën do të udhëheqin ministrat e jashtëm të të dyja vendeve dhe I njëjti do të mblidhet 1 herë në vit.
Anesa Salihu

