Pas formimit të dhjetë grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së me çka pamundësohet diskutimi normal për thuajse çdo pikë të rendit të ditës, Talat Xhaferi e ka anuluar seancën e paraparë për sot. Vazhdimi i seancës do të jetë tek të hënën dhe kështu nuk është e sigurt nëse javën e ardhshme Marko Zvrlevski do të jetë i shkarkuar nga pozita e kryeprokurorit.
Debati po mbahet peng tek pika e tretë e rendit të ditës për punën e Avokatit të Popullit i cili kërkon më shumë pavarësi financiare dhe mundësi për të punësuar persona në institucion. Nga LSDM-ja dje ironizonin duke pyetur se prej kur VMRO-DPMNE ka shfaqur interes për një pikë të cilën tradicionalisht as nuk e shikojnë, e jo më ta diskujtojnë, duke komentuar se “shihet nga aeroplani se po bëjnë bllokadë klasike”.
Pasi VMRO DPMNE-së iu refuzua kërkesa për ta propozuar kryeprokurorin dhe për të patur mundësi votimi me dy të tretën e votave, ata dolën me taktikën e re të bllokimit.
Edhe pse të gjitha partitë dje i bënë thirrje VMRO-së që të jetë e arsyeshme dhe të mos keqpërdor rregulloren e Kuvendit për të kthyer lojën në interes të saj, kjo parti këmbëngul në këtë taktikë si alternativën e vetme.
Tani që VMRO-DPMNE-ja i ka ndarë deputetët në 10 grupe parlamentare, ka fituar mundësinë për të stërzgjatur fjalimet pasi çdo koordinator ka të drejtë diskutimi prej 15 minutash, ka të drejtë edhe për vërejtjte procedurale prej 3 minutash, por ka mundësinë edhe të kërkojë pauzë.
Koordinator të grupeve parlamentare dje u caktuan Ilija Dimovski, Antonio Milloshovski, Zoran Iliovski, Vlladanka Aviroviq, Daniela Rangellova, Panço Minov, Dimitar Stefanaxhija, Dragan Danev, Bllagica Lasovska dhe Dragan Cuklev.
Në vitin 2006, LSDM-ja ka pasur gjashtë grupe parlamentare dhe ky ishte rekordi i shënuar, por tani VMRO DPMNE e ka tejkaluar për katër grupe parlamentare më shumë.
Ferikan Iljazi Arifi

