Alsat 2019-07-24T15:47:32+02:00
Kuvendi ka miratuar ndryshimet e Rregullores për Punën e Kuvendit me 63 vota “pro”. Ndryshimet të cilat u propozuan me procedurë të përshpejtuar nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi kanë për qëllim harmonizimin e Rregullores me Ligjin për Gjuhët. Në propozim ndryshimet e reja të Rregullores, hyn zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, më saktë dispozitat e nenit 4 të cilat thonë se:
Kryesimin i seancave të Kuvendit ose trupave të punës, materialet për punë, stenogramet e seancave të Kuvendit dhe mbledhjeve të trupave të punës, materialet dhe dokumentet e tjera si edhe botimi i ligjeve dhe akteve të miratuara nga ana e Kuvendit të bëhet përveç në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me ndryshimet e reja në Rregulloren për punën e Kuvendit futen edhe dispozitat e nenit 7. Me këtë, vula e Kuvendit do të jetë edhe në gjuhën shqipe.
Në nenin 7 paragrafi (3) i ligjit, rregullohet çështja për vulat e të gjitha organeve të pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucioneve qendrore, ndërmarrjeve publike, agjencive, drejtorive, institucioneve dhe organizatave, komisioneve, personave juridikë që ushtrojnë autorizime publike në përputhje me ligjin dhe institucione të tjera, përkatësisht se vulat shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve dhe alfabetin e saj.
Në arsyetimin e ndryshimeve të propozuara nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi thuhet se:
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut si bartës i pushtetit ligjvënës në shtet ka për detyrë t’i zbatojë dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa duke pasur parasysh se puna e Kuvendit rregullohet me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, del nevoja të harmonizohen dispozitat e Rregullores me ligjin e përmendur”.
Ndryshimet e Rregullores për punën e Kuvendit, nuk u mbështetën nga VMRO-DPMNE-ja. Gjatë momentit të votimit, deputetët e opozitës maqedonase nuk u shfaqën aspak në sallë me qëllim që pushteti të sigurojë vetë shumicën absolute prej 61 votash. Ata dje thanë se nuk do të mbështesin ndryshimet e rregullores së Kuvendit në procedurë të shkurtuar për shkak se janë në kundërshtim me procesin “Zhan Mone”, sipas të cilit partitë politike duhet bashkërisht me konsensus të bëjnë ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Por Xhaferi u arsyetua me atë se veprimin e këtillë e ka bërë për shkak të respektimit të ligjit për përdorimin e Gjuhëve, të miratuar në vitin 2018, i cili obligon të gjitha institucionet e shtetit që në afat pre gjashtë muajve të fillojnë zbatimin e tij.
Mefail Ismaili
Loading…



