Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në suaza të vazhdimit të seancës së 22-të e përfundoi debatin rreth propozimit qeveritar që Lubomir Joveski të jetë prokuror i ri publik shtetëror, ndërsa votimin kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e caktoi për më 22 dhjetor të këtij muaji, para mbajtjes së seancës për buxhetin për vitin 2018.
Në debatin e sotëm rreth propozimit që Joveski të zgjidhet prokuror publik shtetëror, nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, për çfarë keqardhje shprehën deputetët e shumicës qeveritare duke theksuar se për këtë çështje nevojitet debat. Nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së në seancë mori pjesë vetëm Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve.
Sipas deputetes Frosina Tashevska-Remenski, prokurori publik shtetëror ndoshta do ta ketë detyrën më të vështirë ta ngrejë institucionin e shkatërruar dhe të zbatojë reforma.
Tomisllav Tuntev shfaqi keqardhje që opozita nuk është e pranishme dhe potencoi se duke marrë parasysh atë që paraprakisht ajo nuk ka treguar asgjë kundër Joveskit, pret të ketë konsensus të përgjithshëm gjatë zgjedhjes së tij.
Artan Grubi nga BDI theksoi se do të japin mbështetje në propozimin dhe theksoi se BDI pret nga Joveski të ndërtojë Prokurori Publike objektive e cila do të gëzojë besim tek qytetarët konform ligjeve, e jo “konform tefterit”.
Presin nga prokurori publik të veprojë konform standardeve ndërkombëtare, në mënyrë objektive, sipas ligjit, e jo me standarde të dyfishta, si dhe qasje të përgjegjshme ndaj ngjarjeve “Sopoti” dhe “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave”.
Xhevat Ademi nga BDI potencoi se në Maqedoni definitivisht duhet të sundojë drejtësia.
Për Fadil Zendelin nga Besa zgjedhja e prokurorit të ri është reformë e cila do të kontribuojë ndaj shtetit juridik, duke kërkuar të marrë informacione nëse Joveski ka qenë pjesë e gjykatësve të përfshirë në aferën e viteve të 90-ta.
Mbështetje propozimit i dha edhe Aleanca për Shqiptarët. Surja Rushiti potencoi se nevojitet të ndërtohet sistem gjyqësor i cili do të jetë i pavarur. Theksoi se ashtu siç e japin mbështetjen, ashtu mund edhe ta marrin.
Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit që prokuror publik i Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Në thirrjen të cilën e shpalli Qeveria më 14 shtator, për prokuror publik u paraqitën 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i Prokurorëve Publikë, me kërkesë të Qeverisë dorëzoi mendim në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje që i plotësojnë kushtet. Mendimi i Këshillit është obligues për Qeverinë, e cila kandidatët e propozuar i dorëzon në Kuvend.
Gjashtëdhjetë e trevjeçari Joveski në punën e deritanishme ka vepruar në fushën penale. Mbi 15 vjet ka punuar si gjykatës për lëndë penale, ndërsa në një mandat ka drejtuar me Gjykatën Themelore Shkup 2, ndërsa ka përvojë pune prej mbi 12 vjet si prokuror publik dhe shtatë vjet në fushën e zbatimit të sanksioneve penale.
Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin republikan për Gjyqësi të Republikës Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën Komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendësprokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të RM-së.
Për emërimin e prokurorit publik, Kuvendi i RM-së vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Prokurori Publik ka mandat prej gjashtë viteve me të drejtë të emërimit të sërishëm.
Deri më tani këtë funksion e ushtronte Liljana Spasevska, pasi Marko Zvërlevski u shkarkua më 17 gusht të këtij viti.