Në seancën e 104-të plenare të Kuvendit, deputetët po debatojnë për interpelancën e paraqitur ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit, Cvetan Tripunovski. Për diskutim janë paraqitur gjithsej 32 deputetë.
Interpelanca është iniciuar nga opozita, e cila pretendon se në resorin e bujqësisë ekzistojnë dyshime serioze për korrupsion sistemik, të mbështetura, sipas tyre, nga arrestimet e funksionarëve të lartë për marrje ryshfeti dhe nga pezullimi i programit IPARD 3. Opozita vlerëson se politikat dhe masat e zbatuara nga ministria kanë krijuar rrezik për shpërndarje selektive dhe jotransparente të mjeteve publike, në dëm të bujqve.
Duke arsyetuar interpelancën, deputeti i LSDM-së, Ljupço Nikollovski, deklaroi se dy vitet e mandatit të Tripunovskit janë karakterizuar nga anulimi i programeve dhe thirrjeve publike për traktorë e mekanizim bujqësor, reduktimi i programit për zhvillim rural, ulja e subvencioneve dhe heqja e pagesave avansore.
Sipas Nikollovskit, mijëra bujq përballen çdo vit me vonesa në pagesën e subvencioneve, ndërsa çmimet e produkteve bujqësore, si gruri, orizi, rrushi, lakra dhe qumështi, kanë rënë nën koston e prodhimit pa masa shtesë mbështetëse nga shteti.
Ai theksoi se kulmi i skandaleve të korrupsionit ishte ndërprerja e programit IPARD, të cilën e cilësoi si goditje serioze ndaj besimit në fondet evropiane dhe kredibilitetit të institucionit. Nikollovski shtoi se shoqatat, sindikatat dhe vetë bujqit kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit.
Nga ana tjetër, ministri Tripunovski hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se ka trashëguar një gjendje të rënduar në sektor, me projekte të papërfunduara, subvencione të papaguara dhe institucione të degraduara. Ai theksoi se më shumë se 1.600 punonjës të NP “Pyjet Kombëtare” nuk kishin marrë paga për katër muaj, ndërsa mbi 500 punonjës të ndërmarrjes së ujësjellësit kishin mbetur pa paga për pesë muaj.
Tripunovski akuzoi qeverinë e mëparshme se gjatë periudhës 2017–2024 nuk kishte akredituar asnjë masë të re në kuadër të programit IPARD, ndërsa projektet e financuara nga Banka Botërore dhe KfW, sipas tij, ishin lënë pa realizim. Ai përmendi gjithashtu sulmin kibernetik ndaj sistemit të ministrisë në vitin 2022, nga i cili u humbën dokumente të shumta, si dhe shfuqizimin e kontratës kolektive për punonjësit e ministrisë po atë vit.

