Kuvendi bullgar për sot ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, në të cilën, ndër të tjera, ministri teknik për Punë të Jashtme, Nikolaj Milov, do të flasë, siç thonë mediat bullgare, për sulmet ndaj bullgarëve në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë, MPJ bullgare thirri ambasadorin Angel Angelov për konsultime në Sofje për shkak të situatës së rëndë në lidhje me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Shkak për kthimin e tij të përkohshëm në vend, siç theksohet nga MPJ bullgare, është gjendja e rëndë në lidhje me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përshkallëzimi i akteve dhe krimeve të urrejtjes kundër tyre në muajt e fundit: zjarrvënia n; klubin “Ivan Mihajllov – Manastir në qershor 2022, tre sulmet në ndërtesën e klubit Car Boris III – Ohër, përfshirë të shtënat me armë zjarri më 24 nëntor 2022, fushatën agresive antibullgare në mediat sociale në Maqedoninë e Veriut, sulmin brutal më 19 janar 2023 të Hristijan Pendikov, sekretar i organizatës “Car Boris III” në qytetin e Ohrit, si dhe miratimi i ligjit diskriminues për fondacionet dhe shoqatat në Maqedoninë e Veriut në nëntor 2022.
MPJ bullgare thekson se qëllimi i konsultimeve është që të ndalet, siç thonë ata, trendi i rrezikshëm i rritjes së presionit ndaj qytetarëve të Maqedonisë, të cilët ndjehen si bullgarë.
Ministri bullgar i Punëve të Jashtme Nikolai Milkov njoftoi se i ka njoftuar kolegët e tij në Këshillin e BE-së për rastet e rritjes së presionit ndaj përfaqësuesve të pakicës bullgare në Maqedoni. Pas takimit para gazetarëve bullgarë në Bruksel, ai shprehu pritejet se BE-ja do të mbajë qëndrim.
Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski dje pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit e njoftoi opinionin se do t’i propozojë Qeverisë ndalimin e hyrjes së një eurodeputeti dhe disa shtetasve të tjerë bullgarë.
Edhe pse nuk e përmendi me emër, është më se e qartë se bëhet fjalë për eurodeputetin nga Bullgaria, Angel Xhambaski, i cili njihet për retorikën e tij nacionaliste dhe ofenduese ndaj Maqedonisë së Veriut dhe popullit maqedonas në histori, por edhe në kontekstin e zhvillimeve dhe ngjarjeve aktuale politike.
Dje zhvilloi mbledhje Këshilli i sigurimit të Maqedonisë së Veriut. Pjesë e mbledhjes ishin edhe raportet me Bullgarinë, duke numëruar edhe ngjarjen në Ohër, duke e vlerësuar si “pjesë e vogël e krejt mozaikut”.
“Sipas analizave të disponueshme dhe njoftimeve të organeve përkatëse, bëhet fjalë për aktivitetet të organizuara nga struktura në Bullgarinë fqinje, të cilat janë aktivizuara pas miratimit të kornizës negociuese evropiane në korrik të vitit të kaluar”, deklaroi Pendarovski.
Ai paralajmëroi që këto struktura tashmë janë mobilizuar dhe pritet të vijnë në Shkup më 4 shkurt, duke vlerësuar që kjo “do të jetë ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë”, ndërsa institucionet nuk do të jenë vetëm vëzhgues.
“Strukturat e njëjta janë mobilizuar, në logjistikë dhe financiarisht, për të mbështetur ardhjen e mobilizuar të shumë njerëzve në Shkup më 4 shkurt, kur do të shënohet ditëlindja e Goce Dellçevit”, deklaroi Pendarovski.
Ai kërkoi nga Qeveria që t’i ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut një eurodeputetit bullgar dhe disa personave, për shkak të veprimeve kundër Maqedonisë së Veriut në të kaluarën dhe tash.