11 Janar
Me 69 vota pro, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, Kuvendi pas disa dështimeve, arriti që t’i japë dritë jeshile Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ligjin e mbështetën edhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët, Merale Ferati e PDSH-së, deputetët e Lëvizjes Besa, Vesel Memedi dhe deputeti i pavarur Amdi Bajram. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi nuk e mohon faktin që Presidenti Ivanov mund ta bllokojë ligjin, por garanton se i njëjti do të miratohet përsëri nëse edhe ndodh një gjë e tillë.
Në radhë është reflektimi i Kryetarit të shtetit, Gjorgje Ivanov, i cili sipas procedurës brenda 10 ditëve nga marrja e tekstit të ligjit që është miratuar sot duhet ta dekreton të njëjtin. Dhe në aspekt hipotetik nëse ajo nuk ndodh brenda 10 ditëve, mbas skadimit të afatit 10 ditorë, po them hipotetikisht nëse nuk dekretohet, brenda 30 ditëve nga skadimi i afatit ligji do të duhet ti kthehet në lexim të tretë parlamentit që nënkupton vetëm aktin e votimit të sërishëm. Duke pasur parasysh numrat që kanë kaluar sot shpresoj që nuk do të ketë kurrfarë problemi – deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, si një ndër propozuesit e ligjit, tha se tani më kanë një mision tjetër, dhe ajo është që ligji për gjuhët, të marr emrin që i takon “Ligji për gjuhën shqipe”.
Shfrytëzoj rastin që tu bëj thirrje të gjitha partive politike që ta përkrahin këtë ligj dhe në një fazë tjetër ta heqim edhe atë definicionin “Gjuha që e flasin 20% e popullatës” meqë është e ndryshme nga maqedonishtja, por të jetë definicioni ashtu siç quhet gjuha, “Gjuha Shqipe”. Shfrytëzoj rastin që ti falënderoj të gjithë, në shqip “Faleminderit” të gjithë deputetëve që do e përkrahin, në gjuhën maqedonase”Bllagodaram” dhe në gjuhën turke “Teshekyr – u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Ndërkaq Kryeministri Zoran Zaev, ditë më parë duke folur për ligjin për përdorimin e gjuhëve në emisionin Rruga Drejt, deklaroi se ai është meritë e tij dhe do të vazhdojë ta mbrojë përpara atyre që e kundërshtojnë atë. Në janar, sipas Zaevit, ligji do të kalojë edhe leximin e dytë në Kuvend.
Besoj se si socialdemokrat, më shumë e kam mbrojtur ligjin se sa BDI-ja. BDI-ja ndoshta do të thotë se kjo nuk është e vërtetë por unë besoj në atë. Zaevit nuk mund të ja marrin meritat. Zaevi është maqedonas që lufton për bashkësitë më të vogla në numër, për barabarsinë e tyre në Maqedoni – pati deklaruar Zoran Zaev, kryeministër.
Nga VMRO DPMNE thonë se Ligji për përdorimin e gjuhëve është anti-kushtetues. Sipas partisë më të madhe opozitare ligji ishte sjellë me mashtrime, me flamurin e BE-së, gjë që ishin keqpërdorur procedurat e miratimit të ligjeve të rëndësishme për integrimin e vendit në BE. Në VMRO vlerësojnë se pushteti duhet të mbajë përgjegjësi për siç thonë këtë manipulim me qytetarët. Pas miratimit të ligjit dhjetëra persona protestuan para Kuvendit.
Besian Leka

