3 Dhjetor 2018 / 15:47
U miratua edhe draft-amendamenti i cili parashihet të rregullojë mos-cënimin e kufijëve të Maqedonisë, pas zbatimit të marrëveshjes me Greqinë. Opozita në Kuvend vazhdoi ta konsiderojë marrëveshjen të dëmshme dhe kërkoi nga pushteti që të mos mveshë me përgjegjësi deputetët për pasojat që do të mbartë ajo. Votimi kaloi me shumicë prej 64 votash “për” kurse dy deputetet e ndara të VMRO-DPMNE-së, Emilija Aleksandrova dhe Vladanka Aviroviq, të vetmet që ishin prezente nga grupi i ndarë prej tetë deputetësh, përsëri votuan “të përmbajtura”. Gjatë debatit për draft-amendamentin për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore, deputeti Panço Minov kërkoi të përfshihet edhe një nen që rregullonte ruajtjen e identitetit.
Propozoj që në amendamentin 36, neni 1 të bëhet riformulim me përmbajtjen si vijon; Republika e mbron, garanton dhe kujdeset për trashëgiminë historike dhe kulturore dhe identitetin e popullit Maqedonas. Këto propozime nisen nga teza bazë se me ndryshimin e emrit kushtetues, nuk ndryshohet identiteti i shtetit”- u shpreh Panço Minov, deputet i pavarur
Vijon debati publik dhe ky propozim dhe propozimet e tjera konstruktive do të jenë pjesë e debatit sepse ka mundësi dhe kushte të shihet mënyra se si të përmirësohet ky tekst”- tha Andrej Zhernovski, zv.ministër i Jashtëm.
Opozita në debat u shpreh edhe kundër këtij draft-amendamenti. Pas përfundimit të debatit të fazës së dytë dhe miratimit të draft-amendamenteve, vijojnë 5 ditët e debatit publik kurse pas 30 ditësh debati mund të kthehet përsëri në seancë plenare ku do të kërkohet miratim i amendamenteve finale me 2/3 e votave të deputetëve, për ndryshimin e Kushtetutës.
Fatlume Dervishi
Loading…


