Nxënësit e shkollës “Bajram Shabani” të fshatit Vishticë mësojnë në një shkollë të vogël, të vjetër e të ndërtuar diku para 70 viteve. Nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, në mungesë të hapësirës së mjaftueshme në këtë shkollë, detyrohen të udhëtojnë deri në fshatin Mateç, ku është edhe shkolla qendrore, pasi “Bajram Shabani” është vetëm shkollë periferike. Kjo shkollë ka vetëm nga dy klasa dhe një korridor të vogël, hapësirë që e pamundëson për të mësuar të gjitha klasat, nga e para e deri në të nëntën, shkruan TV SHENJA.
Zëvendës-drejtori i shkollës qendrore “Kultura”, të fshatit Mateç, Ibrahim Bakiji, tha se kryesia qendrore e kanë shumë të vështirë menaxhimin e gjithë këtyre shkollave dhe për kanë lëshuar kërkesë në komunë për pavarësimin e secilës prej tyre, por nuk kanë marrë ende ndonjë përgjigje.
Ibrahim Bakiji, zv drejtor i shkollës “Kultura”
“Të menaxhosh një shkollë qendrore me tri shkolla periferike nuk është edhe punë e lehtë, çdo ditë mund të hasim në probleme të llojeve të ndryshme. Por, ne mundohemi maksimalisht të shpërndahemi, dikush shkon atje, dikush në Vishticë, tjetri në fshatin Ropalcë, apo Nikushtak, dikush duhet patjetër të ngel këtu që ti menaxhoj edhe punët ashtu si duhet, edhe pse nuk kisha thënë që jemi të kënaqur edhe ne si grup që menaxhojmë këtë shkollë, por edhe shkollat e tjera…nuk është e lehtë të udhëtosh, por ne mundohemi që ta zbusim këtë situatë…ka ndonjëherë momente kur nxënësit ose këtu vonohen, ose autobusi vonohet”, ka deklaruar Ibrahim Bakiji, zv drejtor i shkollës “Kultura”.
Edhe prindërit ankohen se transporti shpesh nxënësve u vonohet, si rrugës për në shkollë ashtu edhe kthimit për në shtëpi.
“Kanë kërkuar, por nuk ka kanë dhënë asnjë përgjigje….Udhëtojnë katër kilometra prej këtij fshati në fshatin tjetër, me qenë këtu do ishte më mirë sepse nuk do të kishte nevojë të udhëtojnë, por nuk është interesuar askush…herë presin në shkollë nxënësit nga dy orë, nuk vije me kohë, i njëjti problem vazhdimisht”, deklaroi një prind.
Ndërsa, drejtori Ndërmarrjes Publike “Pishat e Maqedonisë”, që bartë nxënësit, ka thënë se ata mundohen që gjithmonë të jenë të saktë, me ndonjë përjashtim të vogël edhe atë vetëm gjatë stinës së dimrit.
“Ndërmarrja Publike ‘Pisha’, pranë komunës së Likovës organizon transportin e nxënësve…bën bartjen e nxënësve të shkollave periferike të fshatit Vishtic, për në shkollën qëndrore të fshatit Mateç…Deri tash nuk kemi pasur probleme që kanë qenë të theksuara, ndonjë vonesë për të filluar mësimin në kohën e caktuar, ose gjatë kthimit në shtëpi”, tha Gazmend Bakiji, drejtor i NP “Pishat e Maqedonisë”.
Ndërkaq, Nexhadi Osmani, sekretar në Komunën e Likovës tha se për momentin nuk kanë ndonjë plan për investim në shkollën e fshatit Vishticë, por për këtë gjë do të mendojnë në të ardhmen, pasi nevojiten edhe kushte financiare.
“Po shkolla është e vjetër, shkolla është rinovuar, me siguri në të ardhmen do të mendojmë edhe për ndonjë shkollë të re, mirëpo po e përsëris, ajo që ka pak nxënës. Nqs ato nxënës do të ndahen në fshatin Vishticë, duhet kë krijohen paralele të reja dhe normalisht duhet të shtohen edhe mjetet financiare”, deklaroi Nexhadi Osmani, sekretar në Komunën e Likovës.
Osmani gjithashtu tha se ai nuk është i informuar nëse shkollat periferike kanë lëshuar kërkesë në komunë për t’u pavarësuar.
Kushte të mjerueshme në shkollën e fshatit… by tvshenjaofficial