Pasi ditëve të fundit disa zëra, than e shkruan për të burgosurit politik dhe opozitën, pa hezituar, kush si mundi i quajtën: Dikush edhe duke fshehur çmendurinë e kultivuar ndër vite, thanë: “Të burgosurit politik janë të “”, një tjer çmendurtër, duke e fshehur “shërbëtorin e përulur” ndaj UDB-ashëve serb dhe kujtdo tjetër, vetëm jo kurrë në shërbim të kombit e të atdheut, tha: “Të burgosurit janë shërbëtor të KGB-së”?! E ndonjë tjetër, e akuzuan opozitën si “pro Ruse” e “anti perëndimore”. Kjo po thuhet për njerëzit që po e duan vendin e tyre, kombin e tyre dhe perspektivën qytetare për sot e nesër.
Gjithë ky soj i shërbëtorëve të përulur, ndaj armikut shekullor nuk e morën guximin as edhe një herë në kohën e duhur, Atdheut e kombit nuk ia bënë asnjë argat të duhur sa herë që kërkohej pak sakrificë. Tani në Kosovën e lirë e të pavarur, të çliruar nga të “çmendurit”, nga “spiunet” e “KGB-së”, i kanë veshur rrobat e “akademikëve”, të “çlirimtarëve” e të “demokratëve”, “shtetndërtues” e “pro perëndimorëve” duke ia dhuruar një pjesë te sovranitetit Serisë. Të mjerët, ne asnjë kohë dhe as sot, “nuk janë të gatshëm ta trembin macen nga përsheshi”. Në jetë u ka mbetur vetëm një zanat: Të qenit shërbëtor të përjetshëm të të huajit, atë punë po e bëjnë edhe sot! Madje gjithherë duke i shërbyer të huajit dhe bashkë me të huajin, i kanë etiketuar Luftëtarët e Çlirimit Kombëtar më etiketa më gërditëse! Ky ka mbetur zanati i tyre, i turpit të përjetshëm. Ndërsa në kohën e luftës çlirimtare, me çdo mjet dhe mjete financiare, ishin sabotatorët e dëshmuar të saj. Ndërsa sot kërkohen të shpërblehen si “veteranë të luftës çlirimtare”?!
Më poshtë do u tregoj se pa proceset politike kundër atdhetarëve ndër vite, pa luftën çlirimtare dje, nuk do ta kishim lirinë e pavarësinë sot. Sot pa opozitën e vendosur për të ruajtur sovranitetin e shtetit tonë, këta ligshtana do ta sillnin Serbinë këmbëkryq në Kosovë. Shyqyr që vendi ka opozitë të vendosur për t’i mbrojtur vlerat kombëtare dhe sovranitetin e shtetit.
Në vazhdim do të flasim për qëndresën kombëtare, kundër armikut shekullor, të cilit armik disa nga të akuzuarit nuk nguruan t’i shërbejnë me përkushtim e devotshmëri.
Procese politike për “kundërrevolucionarët”
Historia e proceseve politike kundër të burgosurve politikë shqiptarë të Kosovës, fillimin e ka nga periudha e Mbretërisë jugosllave për të vazhduar, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pra në Jugosllavinë e Titos. Qeveria e re jugosllave e Tito – Rankoviqit, menjëherë pas Luftës Nacionalçlirimtare, mbi popullsinë shqiptare kishte marrë një varg masash represive të përcjell edhe me masakra mbi njerëzit duarthatë siç ishin 3500 viktimat e Tivarit, të Sremit[1], por edhe ato mbi popullsinë e Drenicës në vitet 1944 – 1945, ku u dogjën 44 fshatra dhe u ekzekutuan 47.300 shqiptarë. Proceset më të njohura politike janë: Procesi kundër pjesëtarëve të Lëvizjes Nacionaldemokrate Shqiptare[2]; të Prizrenit, dënimi i Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, i udhëhequr nga Kadri Halimi dhe Ali Aliu (1961), procesi kundër LRBSH, proceset kundër organizatorëve të Demonstratave të vitit 1968, procesi për dënimin e Adem Demaçit më 1975, Grupit Revolucionar maj 1974, dënimi i pjesëtarëve të LNÇSHJ më 1979 dhe proceset pas vitit 1981 e në vazhdim.
Gjithë këto masakra, dënime (edhe kapitale) që janë bërë për udhëheqësit e LNDSH-së e deri të dënimet e viteve që i kemi në shqyrtim (nga një deri në 15 vite), qëllim kryesor kishin mbajtjen nën zap të popullit shqiptar që ai mos të kërkonte të drejta e liri kombëtare. Në verën e vitit 1982 ndodhën një seri dënimesh drakonike për veprimtarët e organizatave politike të Ilegales, për të cilat informoi shtypi zyrtar i Prishtinës dhe ai ilegal. Këto organizata ishin: Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK) për të cilin u organizuan dy gjyqe, një në Prishtinë (18 veta) e një në Gjilan (16 veta), Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ), 10 veta gjyqi i organizuar në Prishtinë; Grupi “Pavarësia” prej 9 veta, gjyqi i organizuar në Pejë; Grupi i intelektualëve në Prishtinë, 9 veta, Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Të gjitha organizatat u dënuan për shkak të veprimtarisë nga pozitat e “nacionalizmit”’ “irredentizmit” si dhe për veprimtari “kundërrevolucionare”. Cilësimi më i zakonshëm ishte: “Bashkim për veprimtari armiqësore”, “propagandë” dhe “kundërrevolucion”, sipas nenit 136 e 133 lidhur me nenin 114 sipas LPJ. Për këto dënime të rënda politike, në shtypin e Kosovës dhe mjete tjera informative u shkruan edhe komente. Në komente në të shumtën e rasteve thuheshin fjalë më të rënda. Shpesh sikur bënin garë me aktakuzat e ngritura nga Prokuroria në bashkëpunim me policinë sekrete (UDB) që zakonisht i bënte hetimet dhe përcaktonte shkallën e dënimit. Dhe për këto vepra të dhunës se shfrenuar e kishin ndihmën e sojit te etiketuesve të sotshëm, mbase edhe vet etiketuesit!
Në ato komente, jo vetëm veprimtarët politikë, por e gjithë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, akuzohej se gjoja po kërkohej “Kosova e pastër etnikisht”. Një kërkesë e tillë asnjëherë nuk është shqiptuar nga të akuzuarit, por pse dhe ku e gjenin autorët e komenteve, nuk mund të dimë pasi komentet kishin autorësinë e shtëpisë botuese ose informative. Në rastin që po e shqyrtojmë komenti ishte i RTP-së. Nga 5 deri në 11 qershor, në faqet e “Rilindjes” është botuar një fejton në shtatë vazhdime, me titull: “Gjurmëve të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë.” Edhe shtypi i ilegales në faqet e tija merret me proceset e përmendura, por qasja e tij ishte krejt tjetër. Në shtypin e ilegales hasim këta tituj: “Përpara drejt fitores” ishte kryeartikulli i gazetës “Liria” e muajt gusht 1981, “Dënimet e rënda nuk e frikësojnë popullin tonë”, “Demagogjia nuk mund ta mbulojë dhunën dhe terrorin” shkruante “Liria” e muajt dhjetor 1981 “Procesete inskenuara politike formë e terrorit shovinist. “Zëri i Kosovës” shkruante gjerësisht për proceset gjyqësore, në shtator 1982. Artikulli përmbyllej me bindjen se ashtu siç i kemi tejkaluar inskenimet nga dimri i vitit 1944-1945, ashtu do t’i përballojmë edhe inskenimet politike të vitit 1981, se edhe nga ky terror politik do të dalim më të fort, më të kalitur e më vital për të ardhmen e sigurt të vendit e të popullit tonë.
Dallimet në mes prezantimeve në shtypin zyrtar dhe ilegal për gjyqet politike ishin të mëdha. Derisa në shtypin zyrtarë të Prishtinës, të burgosurit paraqiteshin: “nacionalistë”, “irredentistë”, gogolë, “kundërrevolucionarë”, “armiq” të shtetit, të “klasës punëtore” e të “popullit”, në shtypin e ilegales prezantoheshin: “krenari e kombit”, “sypatrembur e revolucionarë”, “luftëtarë të lirisë” e “çlirimtarë” etj., që përgjegjësi i jepnin vetëm popullit e askujt tjetër. Sulmi që kishte bërë politika jugosllave, nëpërmjet mjeteve të informimit publik në përgjithësi, e shtypit në veçanti për “armiqtë” e “popullit” e të “socializmit”, për “përmbysjen” e “shtetit” të “klasës punëtore”, të “socializmit Vetëqeverisëses”, etj., kishte ngritur në Jugosllavi urrejtjen ndaj popullit shqiptar e në veçanti ndaj të burgosurve politikë.
Të burgosurit politikë, në muajt e hetuesisë, deri në përfundim të hetimeve u janë nënshtruar torturave të rënda fizike e psikike. Pas dërgimit të burgosurve në burgjet e ndryshme të RSFJ, për ta fillonte një fazë e re e torturimit deri në gjymtim dhe mbytje.