Dy muaj pas nisjes së kontrollit, bilanci me 16 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar, ka rikthyer debatin dhe ndarjen e madhe politike mbi besueshmërinë e vetingut. Çfarë del nga vendimet më pikante, sa do të zgjasë, a rrezikon të ndalet procesi dhe cila është zgjidhja për gjykatat bosh e magjistratët e rinj. Flasin Afrim Krasniqi dhe Fitim Zekthi
Nga Nevila Perndoj
Małgorzata Gersdorf ishte kryetare e Gjykatës Supreme të Polonisë, kur, një vit më parë, partia qeverisëse “Ligj dhe drejtësi” propozoi me votat e saj reformën kontroverse gjyqësore, që në thelb cenonte pavarësinë e gjyqësorit. E pezmatuar, ajo u ul në tryezën e punës dhe hartoi një letër publike drejtuar jo partisë konservatore në qeveri, por popullit.
“Ne jetojmë në botën e iluzionit, duke lexuar hijet e ligjeve…”, shkruante ajo.
Një vit më pas, situata nuk ka ndryshuar. Gjyqtares në karrierë iu kërkua në fillim të këtij muaji të lërë zyrën e saj, pasi një ligj i miratuar në Kuvend e kishte ulur moshën e pensionit për gjykatësit nga 70 në 65 vjeç, duke prekur për pasojë edhe atë.
Sot Shqipëria nuk është në një situatë të ngjashme me atë të Polonisë, por debati për fenomenin e ndryshimit të gjykatave është po aq i dukshëm sa edhe atje.
Ndryshe nga Polonia, sot për sistemin “pa gjykata” nuk po “bërtet” gjyqësori, por politika. Sepse kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori nuk është “Małgorzata Gersdorf”. Si gjyqtar me mbështetje nga të dyja kahet politike, (dikur edhe kandidat për President konsensual) ai ka kaluar në fije të perit testin e pasurisë mes polemikash kryesisht në rrjetet sociale. E vërteta në Gjykatën e Lartë është pirgu me rreth 27 mijë dosje të bllokuara. Kolegjet penale nuk janë më në funksion. Gjykata e Lartë duhet të ketë në përbërje 17 gjyqtarë. Vetëm 6 anëtarë janë aktualisht, 3 prej tyre kanë kaluar vettingun dhe tre të tjerë janë në pritje.
E njëjta situatë edhe me Gjykatën Kushtetuese. Si autoriteti më i lartë, Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të zakonshëm. Ajo është e ngarkuar ligjërisht të kontrollojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjera normative.
Me ligj ajo përbëhet nga 9 anëtarë. Që ajo të funksionojë duhet të ketë të paktën pesë anëtarë. Aktualisht në zyrat e saj është kryetari, Bashkim Dedja ndaj të cilit ka një ankim nga Komisioneri Publik për ta apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Apelimit dhe Vitore Tusha, e cila edhe pse e kaloi testin e pasurisë, asaj i ka mbaruar mandati. Vetëm formalisht Gjykata Kushtetuese rendit dy anëtarë, katër anëtarë janë shkarkuar si pasojë e vetingut Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, dhe Fatos Lulo, një i dorëhequr për “arsye shëndetësore” në prag të vetingut, Besnik Imeraj, dhe dy të tjerë Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi të dorëhequr më herët. Kuvendi i Shqipërisë ka hapur garën për një anëtar në gjykatën Kushtetuese, që në thelb nuk e zgjidh problemin. Kushtetuta sanksionon që vakancat në Gjykatë Kushtetuese të zëvendësohen me emërime të kryera nga tri institucione të tjera, me kushtin që renditja fillestare e listës së aplikantëve të bëhet nga një institucion i katërt i quajtur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky Këshill (që nuk ka ende shumicën) është paralizuar nga vetingu (edhe pse Kushtetuta parashikon që ajo e vijon detyrën paralelisht me vetingun). Pa të nuk mundësohet përbërja në Gjykatën Kushtetuese dhe as ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe ngritja e KLGJ-së dhe KLP-së duhet të ishte gati në muajin prill të këtij viti, por funksionimi i tyre mbetet ende “peng” i vetingut. 6 gjyqtarët dhe 6 prokurorët që duhen emëruar, nuk dihet se kur do të zgjidhen. Ky proces nuk pritet të kalojë pa debate sa kohë që edhe për pjesën tjetër të zgjedhur në këto dy organe mazhoranca dhe opozita në nënkomisionin e Posaçëm të Ligjeve nuk gjetën gjuhën e përbashkët në përzgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe ata jo prokurorë. Opozita fajëson mazhorancën se po kërkon të kapë sistemin e drejtësisë qoftë përmes procedurash ashtu edhe përmes selektimit të kandidatëve. Rasti i fundit sipas PD-së ishte ai i Ardian Dvoranit për të cilin pati diskutime në KPK, por e kaloi testin e pasurisë. PD-ja akuzon se KPK-ja ka vepruar me standard të dyfishtë në rastin e Dvoranit me argumentin se ky i fundit është kandidati i Edi Ramës për të plotësuar një vend në Gjykatën Kushtetuese. Së fundmi, PD-ja përmendi edhe emrin e gjyqtarit Ilir Toska, edhe ky sipas partisë më të madhe në opozitë kandidat i mazhorancës për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Për të vijuar më tej me kontestimin që opozita ka për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme e cila do të ketë rol të rëndësishëm në ngritjen e KLP-së. 6 anëtarë prokurorë të KLP-së do të zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve, pas një procesi përzgjedhës që bën Prokuroria e Përgjithshme. Pra, debati mbetet sërish te politika. Dhe ngritja e institucioneve të reja po peng i saj sa kohë që klima e mosbesimit ndaj palëve është në kulm. Dakordësia e fundit për reformën në drejtësi u dha më 22 korrik të dy viteve më parë. Paketa e ligjeve që shoqëroi reformën u shty disa herë duke sjellë efekt domino mbi të gjithë procesin. Partia Socialiste akuzon PD-në se politika e ndjekur me çadrën një vit më parë shtyu me 8 muaj ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, ndërsa PD-ja e cilëson të vdekur procesin dhe të paracaktuar me qëllim kapjen e drejtësisë. Zvarritje pati edhe në ngritjen e zyrave, përcaktimin e buxhetit nga ana e qeverisë dhe personelit të institucioneve të vetingut, duke ndikuar dukshëm në vonesat për vetingun. Sërish politikës i mbeten disa mekanizma që nuk pritet ta përshpejtojnë reformën. Kryetari i PD, Lulzim Basha kujtoi pak ditë më parë se një komision koordinimi siç e parashikonte Kushtetuta duhej të ishte ngritur më shumë se para një viti për të mbikëqyrur konstituimin e organeve të reja të drejtësisë. Situata mbetet kaotike edhe kur voliten akte nënligjore si pasojë e vonesave në zbatimin e reformës në drejtësi. Rasti me konkret është ajo me magjistratët e rinj. Për shkak të moskonstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Shkolla e Magjistraturës aktualisht ndodhet në pamundësinë e organizimit të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë, por edhe të mosemërimit të kandidateve për magjistratë, që janë diplomuar në muajin qershor. Në një kohë kur Këshillat nuk janë krijuar ende, dhe kandidatët e diplomuar nuk mund të emërohen dhe as të caktohen në pozicion, PS-ja ka propozuar që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky ndryshim ligjor kërkon 84 vota dhe PS-ja nuk i ka, duke kërkuar “borxh” kryesish te LSI-ja, që ende nuk ia ka premtuar.
Juristi Çlirim Gjata, ekspert i së Drejtës e sheh situatën si të kërkuar nga mazhoranca. “…Kjo reformë u bë e tillë që të mbeteshim pa gjykatat kryesore, atë Kushtetuese dhe atë të Lartë. Kjo shkon në favor të qeverisë, ajo mund të bëjë çfarë të dojë dhe s’ka kush e kontrollon. Askush nuk thotë asgjë. Askush nuk i thotë qeverisë asgjë, se s’ka kush e kontrollon. Kur shejtani shef djepin bosh, ku ta gjejë të veprojë. Ky sistem drejtësie, e ky Vetting është eksperiment që ndodh për herë të parë në historinë e njerëzimit në Shqipëri, asnjë vend nuk e ka kështu…”, tha ai në “Studio e Hapur”.
Ecuria e vetingut deri tani
-40 gjykatës dhe prokurorë në seanca dëgjimore
-19 e kanë kaluar kontrollin
-17 të rrëzuar
-4 pa vendim

