Fronti Kombëtar i Veprimit të Kurdëve Sirianë dhe Komuniteti i Lirë i Kurdëve Sirianë, shprehën mbështetjen e tyre operacionit “Burimi i Paqes”, të zhvilluar kundër organizatave terroriste YPG/PKK dhe DEASH në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të eliminuar korridorin e terrorit në kufirin jugor të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e përbashkët me shkrim të grupeve të përbëra nga kurdët sirianë, është theksuar se organizata terroriste YPG/PKK duke marrë mbështetje nga regjimi i Asadit, ka ushtruar presione ndaj arabëve dhe kurdëve në rajon.
Organizata terroriste YPG/PKK të rinjtë kurdë “i përdor për të arritur qëllimet tinëzare”, nënvizon deklarata e cila më tej vazhdon: “Shumë njerëz nga rajonet arabe dhe kurde, të cilat organizatat terroriste i morën nën kontrollë në disa vitet e fundit, u detyruan të migrojnë. Shumë kurdë u arrestuan dhe në rajon u shkelën të drejtat njerëzore”.
Në deklaratën e grupeve kurde të Sirisë gjithashtu është potencuar se qëllimi i operacionit “Burimi i Paqes” është që duke larguar zgjatimet e organizatës terroriste PKK në Siri nga rajoni, të eliminohet kërcënimi që paraqitet për popullin kurd të Sirisë.
“Ne mbështesim operacionin ‘Burimi i Paqes’ në mënyrë që të bëhet dritë shprese për popullin tonë”, thuhet në deklaratë.
Të mërkurën, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.