Institucionet shtetërore vazhdojnë të kenë borxhe të larta. Edhe pse borxhi në më shumë se tre vite i dikastereve të ndryshme, ndërmarrjeve publike, komunave, enteve shëndetësore është zvogëluar nga 363 milionë euro në qershor të viti 2017 në 288 milionë euro në fund të vitit 2020, megjithatë ai akoma mbetet mjaft i lartë. Krahas faturave për mallrat e ndryshme apo për punë të realizuara, nuk janë të vogla as borxhet e faturave për energji elektrike, ngrohje apo telefoni fikse dhe celulare. Krahasimi i të dhënave të Ministrisë së Financave tregon se shfrytëzuesi buxhetor, agjencitë shtetërore, fondet e ndryshme dhe arkat komunale, kanë obligime të pashlyera që maten me qindra miliona euro.
Së fundmi, edhe kriza e pandemisë dhe vonesat e pagesave të ndërsjella midis sektorit publik, si dhe në raport me sektorin privat – kanë ndikuar që mbi 600 institucione shtetërore përfshi edhe shkolla, spitale, çerdhe, të kenë borxhe të mëdha. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se ndërmarrjet shtetërore, për të cilat me vite debatohet për menaxhimin e suksesshëm të tyre, prijnë me borxhe me afër 120 milionë euro, komunat me afër 60 milionë euro, ku bile 70 nga 80 komuna janë deklaruar se kanë borxhe të ndryshme dhe po ndeshen me vështirësi të madhe të pagesës së rregullt të obligimeve. Probleme me borxhe kanë edhe spitalet apo klinikat që në kohën e fundit ju janë rritur harxhimet dhe shpenzimet në luftën me pandeminë. Ata kanë borxhe prej afër 43 milionë euro. Mbi 140 milionë euro janë borxhet e ndërsjella midis institucioneve të shtetit, ndërsa mbi 100 milionë euro janë borxhet ndaj sektorit privat që në këtë kohë të krizës – ndeshet me mungesën e parave të gatshme.
Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se shuma e borxheve nuk duhet të merret si përfundimtare për shkak se ekzistojnë më shumë shembuj kur për çdo javë edhe paguhen borxhet e ndryshme, apo edhe të krijimit të borxheve të reja. “Çështja e borxheve të shtetit ndaj shtetit, por edhe sektorit privat – nuk është e re dhe nuk është prej dje. Edhe pandemia ka ndikuar në uljen e aktiviteteve ekonomike dhe ka zgjatur afatet e pagesës së borxheve në përgjithësi. Tani nevojitet edhe një analizë më thelbësore që të shikohet se sa prej borxheve të ndërmarrjeve publike po zvarriten me vite të tëra, borxheve të arritura për pagesë që nuk janë paguar, sa në vitet e kaluara është zbatuar Ligji për disiplinë financiare që duhej të përshpejtojë pagesën e borxheve, si dhe sa janë borxhe të vjetruara”, shpjegojnë ekonomistët.
Njëherësh, edhe ngecja e zbatimit të Ligjit për disiplinë financiare shkakton telashe të mëdha për biznesin. Shtatë vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për disiplinë financiare, biznesi dhe ekonomia në vend kanë problem me pagesën e rregullt të borxheve të ndërsjella. Edhe pse pritej që Ligji të rregullojë pagesën ndërmjet kompanive, por edhe të disiplinojë institucionet shtetërore që vonohen me pagesën e obligimeve ndaj sektorit privat, afaristët ankohen se nuk respektohet si duhet pagesa e obligimeve në afat prej 60 ditësh. Sipas zgjidhjes ligjore, subjektet private kanë afat maksimal për pagesë të borxheve deri 120 ditë. Përmbushje të detyrimeve financiare të subjekteve nga sektori publik nga ky ligj, zbatohen nga viti 2016 dhe afati maksimal që të kryhen detyrimet është deri 90 ditë. (koha.mk)




