Maqedonia e Veriut, sot feston 34 vjetorin e pavarësisë ndërsa në kryeqytet vazhdon akoma të mbetet problem i pa zgjidhur çështja e mbeturinave dhe deponive ilegale të cilat janë krijuar.
Nëpër shtylla, sot, nuk mungonin flamujt për të kremtuar pavarësinë e RMV-së, por nuk mungonin as mbeturinat e pa grumbulluara dhe kontejnerët e stërmbushur.
Qytetaret thonë se në këtë ditë feste duhet të shkëlqejë kryeqyteti e jo të ngulfatet në mbeturina sepse ka edhe të huaj që na vizitojnë pikërisht për festen e pavarësisë, dhe në këtë mënyrë nuk jemi shembull i mirë për të ardhmen tonë në Evropë.
“Kjo është katastrofë, nuk ndodh as në Tunguzi, kjo është e turpshme për Komunën Qendër, nuk kemi aspak higjienë, kjo është sëmundje e gjallë. Sot është dita e pavarësisë. Po, kjo duhet të jetë e pastër që kur të vijnë të huajit por kjo është e turpshme, cila pavarësi, ky nuk është shtet”, tha një qytetar.
”Ne kaluam me këtë shokun dhe i thashë ja shikoje si është komuna, ne jetojmë në Bursa, dhe atje të gjitha vendet shkëlqejnë, janë pastër. Nëna dhe babai im kanë lindur në Shkup dhe në jemi me gjak nga këtu por kjo është gjë e keqe. Kushdo që të jetë duhet të mbajnë pastërtinë. Kjo është papastërti, këto janë gjë e turpshme, turistët vijnë dhe kur kthehen në Turqi thonë që gjithçka është mirë por pastërtia zero”, shtoi një tjetër.
“Kjo është e turpshme, Shkupi është metropole nga ku kalojnë shumë, ja unë këtu kaloj çdo ditë dhe kjo është papastërti, gjithçka hidhet këtu. Sot është dita e pavarësisë. Po, çfarë pavarësie, a kështu festohet pavarësia me papastërti dhe jo higjienë, çfarë i ngjanë kësaj?”, tha një qytetare.
”Këtu ka faj që s’kanë blerë kamionë të ri Higjiena Komunale, me duar nuk mund ta mbajnë këtë deponi, kam biseduar me disa që punojnë në Higjienën Komunale thuan që nuk kanë me çfarë t’i grumbullojnë, s’kanë kamionë. I shoh kur vijnë me kamionë të vegjël e këtu ka mbi pesë tonë mbeturina”, tha një qytetar.
Çështja e mbeturinave në Shkup mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur, që dëmton imazhin e qytetit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve, sidomos në ditë të rëndësishme si ajo e pavarësisë. Ankesat e qytetareve për kundërmim të erës së keqe dhe deponi të krijuara para pallateve, vazhdojnë të arrijnë në redaksinë e Alsat thuajse çdo ditë./Alsat.mk