Deri në fund të këtij viti pritet të dorëzohen në Kuvend ndryshimet ligjore për riorganizim të administratës publike nga ana e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës. E sipas udhëheqësit të kësaj ministrie, me këtë do të mbyllen disa institucione që nuk kanë asnjë vlerë dhe do të shtohen disa institucione të cilat janë të rëndësishme.
“Shpresojmë se deri në fund të këtij viti të kemi ligj të cilin e dërgojmë në Parlament. Përndryshe me pilotim të riorganizimit veç se kemi filluar në tri ministri, në MShIA, në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Bujqësisë, me riorganizimin do të mbyllim disa institucione që nuk kanë asnjë vlerë, do të shtojmë disa institucione të cilat janë të rëndësishme dhe të gjitha agjencitë dhe institucionet do të jenë nën ministritë përkatëse, në mënyrë që të jenë më transparente dhe komunikimi me Qeverinë të jetë përmes ministrive përkatëse dhe të ketë efikasitet më të lartë”, tha Admirim Aliti – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Nga sindikata e të punësuarve në organet e drejtësisë dhe shoqatave të qytetarëve (UPOZ) thonë se nuk presin të ketë reforma dhe departizim të shpejtë të administratës në vendin tonë deri sa nuk sillet Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës. Ky ligj po përgatitet që nga viti 2019.
“Këtë nuk po e stopon Ministria por partitë politike, sepse nuk u konvenon që të ketë punë të këtilla, gjegjësisht që profesionistët, të kualifikuarit të jenë në pozita të larta udhëheqëse. Partitë politike gjithnjë duan të kenë drejtorët e vet, sekretarë shtetëror etj. Përderisa nuk e mënjanojmë këtë reformat në administratë nuk do të vazhdojnë si duhet”, pohoi Trpe Deanoski – kryetari i sindikatës së UPOZ.
Por si dhe kur përfundimisht do të ndodh departizimi i administratës për të cilën janë zotuar shumë qeveri, e pyetëm edhe ministrin e këtij dikasteri. Aliti thotë se me Ligjin për të punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Zyrtarët Administrativë do të depolitizohet administrata
“Vështirë është të spekulojmë prej tash, ajo që e dimë prej tani është se edhe ekspertë të ministrisë tonë por edhe ekspertët nga Sigma dhe BE mendojnë se në qoftë se ligji kalon kështu siç është do të japim kontribut të madh në bërjen e administratës publike të ngjashme me shumë shtete në BE. Ka të dhëna empirike që tregojnë se me kështu ligje janë departizuar shumë admninistrata në shumë shtete të BE”, pohoi Admirim Aliti – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Me zgjidhjet e reja ligjore nuk do të mund të keqpërdoret balancuesi thotë Aliti, ndërkaq metodologjia e punësimit ngelet e njëjtë që nga 2015 me çka përqindja e punësim nuk ndryshon, shtoi ai.


