Rritja e paralajmëruar e temperaturave ditore, e cila sipas meteorologëve në disa rajone do të arrijë deri në 40 gradë Celsius, rrit rrezikun për shfaqjen e helmimeve nga ushqimi, përcjell TV21. Temperaturat e larta paraqesin rrezik potencial edhe për shëndetin e kafshëve, nëse nuk merren me kohë masa për sigurimin e sasive të mjaftueshme të ushqimit të sigurt dhe ujit të pijshëm. Siç thonë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për MIA-n, për të parandaluar helmimet nga ushqimi është e nevojshme të bëhet zgjedhje e kujdesshme gjatë blerjes, të sigurohet transporti i duhur dhe kushtet e përshtatshme për ruajtje, si dhe të kihet kujdes për pamjen, afatin e përdorimit dhe mënyrën e magazinimit të produkteve. Rekomandohet që ushqimi të blihet në vende të kontrolluara, ku produktet, veçanërisht ato që prishen lehtë me origjinë shtazore, ruhen në pajisje ftohëse.
“Duhet të shmanget blerja e ushqimeve me ambalazh të dëmtuar (të shtypur, të fryrë ose të çarë). Produktet e ftohta ose të ngrira duhet të blihen në fund të blerjeve, ndërsa ushqimet që prishen lehtë, si mishi, qumështi dhe vezët, nuk duhet të mbahen gjatë në automjete dhe mjete të tjera transporti. Duhet të shmanget blerja e ushqimeve të ftohta ose të ngrira që ruhen jashtë frigoriferit ose ngrirësit. Ushqimi i ftohur duhet të ruhet në temperaturë nën 5 gradë Celsius, ndërsa ushqimet që kërkojnë përpunim termik duhet të gatuhen në temperaturë mbi 60 gradë Celsius. Frutat dhe perimet para konsumimit duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm, ndërsa mishi, qumështi dhe vezët duhet të përpunohen mirë termikisht. Pas përgatitjes, ushqimi i ftohur duhet të ruhet në frigorifer. Në raftet e sipërme duhet të vendoset ushqimi i gatuar, ndërsa në raftet e poshtme ushqimi i papërpunuar. Ushqimi duhet të mbrohet nga insektet, brejtësit, kafshët shtëpiake dhe kafshët e tjera që mund të bien në kontakt me të”, këto janë vetëm disa nga rekomandimet e AUV-së.
Nëse konsumoni ushqim në objekte hotelerie, AUV rekomandon që të zgjidhen operatorë ushqimorë që kujdesen për higjienën dhe sigurinë e ushqimit dhe që kanë reputacion të mirë.
“Në objektet e ushqimit të shpejtë shmangni shtesat që nuk ruhen në frigorifer, si majoneza, keçapi, sallatat me krem, salcat, dressing-et dhe të ngjashme. Nëse mendoni se ushqimi nuk është i sigurt, mos rrezikoni – hidheni atë”, theksojnë nga AUV.



