Avokatët mbrojtës së 30 të dënuarve për terrorizëm dhe organizatë terroriste, kërkojnë që shteti sa më parë të nis procedurë për hetim ndërkombëtar për rastin “Lagja e trimave”. Përderisa nga qeveria shprehen se po kërkohen mënyra se si të përfshihen ekspertë ndërkombëtarë, avokati Naser Raufi propozon që e gjithë procedura të zbatohet përmes Sektorit për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë Ministrisë së Drejtësisë.
“Në pajtim me Ligjin për ndihmë juridike ndërkombëtare në materien penale dhe të nenit 38 të këtij ligji, parashikohet edhe formimi i ekipeve hetimore. Kuptohet se si përgjegjës i ekipit hetimor do të jetë ndonjë përfaqësues nga vendi ynë dhe mendoj se çdo shtet që ka të akuzuar në këtë rast, të marrë pjesë në procedurën hetimore me ekspertë të vet”, tha Naser Raufi, avokat.
Neni 38 i Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar në materien penale për të cilin flet avokati Raufi, përpos se e rregullon se kush do të qëndrojë në krye të ekipit hetimor, gjithashtu thotë:
“Organet shtetërore kompetente për zbulim dhe ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, mund të jenë pjesë e ekipit hetimor të përbashkët me organet kompetente të huaja. Ky ekip formohet për një qëllim të caktuar dhe me kohëzgjatje të kufizuar, me mundësi vazhdimi, kur për këtë të ekzistojë pajtim nga shtetet që e kanë formuar atë”, Neni 38 i Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar në materien penale.
Nga qeveria për momentin nuk kanë përgjigje se a do të merr vendim për hetimin eventual ndërkombëtar të rastit “Lagja e trimave”, pasi më parë të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat ligjorë në gjykatat vendore.
“Qeveria e RM angazhohet në përmbushjen dhe promovimin e parimeve të sundimit të së drejtës dhe të shtetit ligjor. Për të gjitha rastet gjyqësore, instancat gjyqësore, vendimet duhet t’i sjellin në mënyrë shumë të kujdesshme dhe profesionale. Në këtë fazë po analizohen opsionet se si dhe në çfarë mënyre të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare”, theksuan nga Qeveria.
Avokatët këmbëngulin që hetimi ndërkombëtar të fillojë sa më shpejtë pas mos e pritur vendimin e Gjykatës së Apelit apo të Gjykatës Supreme. I këtij mendimi është edhe analisti i sigurisë Bllagoja Markovski, sipas të cilit, vetëm përmes një hetimi ndërkombëtar do të eliminoheshin të gjitha dyshimet në lidhje me rastin “Lagja e trimave”.
“Duke pasur parasysh se me çfarë rasti kemi të bëjmë, pavarësisht kapacitetit profesional të hetuesve në vend, përsëri do të ekzistojë mundësia që dikush të dyshojë se a kanë vepruar hetuesit në mënyrë të drejtë. Prandaj, më mirë do të ishte që kjo të bëhej nga një ekspertizë ndërkombëtare dhe të vijmë në rezultate cilësore”, tha Bllagoja Markovski, analist.
Përndryshe, vendimi gjyqësor për rastin “Lagja e trimave” u soll javën e kaluar. 8 persona u dënuam me burg të përjetshëm, katër të akuzuar u liruan, 13 persona u dënuan me nga 40 vite ndërsa 6 të tjerë u dënuan me 20 vite.