Protesta e studentëve të Maqedonisë së Veriut për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është zhvendosur nga Shkupi në Tiranë.
Qindra studentë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të vijuar protestën në mbështetje të studentëve të RMV-së.
Me flamuj shqiptarë në duar, pankarta, plisa në kokë dhe një banderolë të madhe me mbishkrimin: “Ne jemi bashkë”, ata kanë nisur marshimin drejt ambasadës së RMV-së në Tiranë.
“Shqiptaria është me Shkupin”, “Gjuha shqipe, gjuha jonë” dhe “O sa mirë me qen shqiptar!” , janë dëgjuar të brohorisin studentët gjatë marshimit të tyre drejt Rrugës së Kavajës, aty ku ndodhet edhe ambasada.
Ashtu si në Shkup, edhe në Tiranë është i pranishëm një prej organizatorëve të protestës, Mevlan Ademi, i cili ka deklaruar se ata nuk do të heshtin në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Ai u shpreh se gjuha është amanet dhe se sot problemi po kthehet në çështje kombëtare, ndërsa nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi dhe respekt.
“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë.
Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha ai.


