Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
Me anë të një njoftimi në orët e para të mëngjesit të sotëm, 1 prill, policia sqaron se Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet ne njoftimin e policise.
Theksojmë se dje policia njoftoi arrestimin e disa të akuzuarve për aferën e inceneratorëve. Madje disa prej tyre u fotografuan në hyrje të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të shoqëruar nga policët.
Por deri në orët e vona të natës nuk pati një konfirmim për arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako. Menjëherë kanë nisur spekullimet, sipas të cilave Bllako është arratisur jashtë vendit.
Gjatë të gjithë ditës djeshme, në media qarkulluan lajme për vetëdorëzimin e tij në polici, por pavarësisht raportimeve sporadike, mungoi një konfirmim zyrtar nga policia për ekzekutimin e urdhër-arrestit të SPAK.
Versioni i arratisjes gjithsesi mbetet një spekullim për momentin, por zyrtarët më të lartë të policisë kanë disa orë që kanë ndërprerë çdo komunikim me gazetarët.
Tymnajën e shton më shumë një postim i avokatit të Alqi Bllakos në Instagram, që ka nxjerrë foton nga një avion me mesazhin: Përqafime!
Akuzat ndaj Bllakos
Bllako akuzohet në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish- Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj.
Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.



