Sekretari Shtetëror, Majk Pompeo sot do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut, për çfarë, në Ohër do të realizojë takime me kryeministrin Zoran Zaev dhe presidentin, Stevo Pendrovski, transmeton Portalb.mk.
Siguria në Ohër është ngritur në nivelin më të lartë dhe në qytet është vërejtur prani e nëpunësve policorë të uniformuar dhe të pauniformuar si dhe nëpunës nga agjencitë shtetërore të sigurisë.
Në pajtim me rekomandimet nga Ministria e Punëve të Jashtme, janë mënjanuar të gjithë kontejnerët në trasenë ku do të kalojë delegacioni i lartë shtetëror amerikan dhe po mbahet shkallë e lartë e higjienës në qytet me ekipe kujdestare që vazhdimisht janë në terren.
Majk Pompeo është sekretari i dytë amerikan i Shtetit që e viziton vendin tonë, pas Kolin Pauell në vitin 2001, kur realizoi takim me presidentin e atëhershëm Boris Trajkovski. Vitin e kaluar në vendin tonë qëndroi sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Xhejms Matis. Përfaqësuesi më i lartë amerikan i cili e vizitoi vendin është presidenti Bill Klinton në vitin 1999, kur nikoqir i tij ishte presidenti Kiro Gligorov. Pompeo krahas RMV-së, do ta vizitojë edhe Malin e Zi edhe Greqinë, edhe një shtet që ka pozitë të rëndësishme gjeopolitike në krahun jugor të NATO-s.
Vizita e Pompeos u vlerësua si moment i kthimit të ShBA-së në Ballkan
Nga ana tjetër edhe ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoni, Kejt Meri Bërns tha se kur bëhet fjalë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, koha vërtetë është e qëlluar, kurse RMV-ja është shembull se si duhet të funksionojnë shtetet e rajonit.
Ky mesazh është edhe porosia e sekretarit shtetëror, Majk Pompeo që do ta thotë gjatë vizitës së tij të premten në Shkup. Gjatë vizitës, siç tha Bërns do të flitet edhe për anëtarësimin e plotfuqishëm të RMV-së në NATO, e cila është në fazë të ratifikimit të Protokolleve nga shtetet anëtare.
Presidenti Stevo Pendarovski vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo e vlerësoi si kthim të SHBA-së në rajon përmes dyerve të mëdha.



