18 April
Edhe në vazhdimin e trembëdhjetë, seanca konstituive për nga forma e debatit dhe temat e trajtuara, nuk ndryshoi aspak nga tre javët e kaluara. Shumica e re parlamentare, edhe përskaj premtimeve të vazhdueshme, nuk ndërmori asnjë hap në drejtim të zhbllokimit të seancës dhe vazhdimit me pikat e rendit të ditës. Deputetët e VMRO-DPMNE-së me orë të tëra zhvilluan replika dhe kundër-replika ndaj njëri tjetrit kurse gjatë fjalimeve procedurale, shumica e re parlamentare kërkoi nga kolegët e tyre të lejojnë zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit dhe përfundimin e seancës.
Kjo platformë që imponohet tani është ndryshim tërësor i Marrëveshjes kornizë të Ohrit gjegjësisht në afat të mesëm ose të gjatë do të thotë presion dhe kërkesë për ndryshim të Kushtetutës – tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE .
Kisha kërkuar prej kolegëve deputetë; merruni me problemet që shqetësojnë shoqërinë në Maqedoni, merruni me problemet në komuna, merruni me krizat reale dhe të mos krijojmë kriza të cilat nuk ekzistojnë. Lëreni Tiranën të qetë! Merruni me Shkupin! – tha Ejup Alimi, BDI.
Nuk ka asnjë platformë, nuk ka asnjë lidhje. Për kërkesat e partive politike shqiptare negocionte edhe lideri juaj, negocionte edhe ekipi juaj dhe nuk u arrit marrëveshje për PSP-në. Ja tani platforma e vetme e cila quhet program i Qeverisë së re reformuese – tha Tomisllav Tuntev, LSDM
Eksponentë më të lartë të BDI-së akoma nuk e kanë shqiptuar askund hapur se ata vërtetë e kanë pamundësuar një bashkëpunim me VMRO-DPMNE-së dhe se nuk do të bashkëpunojnë – tha Zeqirja Ibraimi, BESA
Në qendër të debatit ishte edhe bashkëjetesa e deritanishme në komunat etnikisht të përziera. VMRO-DPMNE-ja në formë justifikimi tha se te ata ekziston përshtypje që në komunat e udhëhequra nga shqiptarë, maqedonasit diskriminohen. Sipas tyre, Gostivari anashkalon maqedonishten në çdo organizim nga vetëqeverisja lokale, të punësuarit maqedonas largohen nga puna në komunën e Kërçovës kurse nxënësit maqedonas në Tetovë nuk lejohen të mësojnë në shkolla të caktuara me shumicë shqiptare.
Fatlume Dervishi

