Zgjedhjet e pushtetit lokal janë paraparë të mbahen më 15 tetor. Partitë politike finalizojnë përgatitjet si dhe shpalljen emrave të kandidatëve për kryetar dhe këshilltarë të komunave. Mirëpo, sa janë “pjekur” kushtet që këto zgjedhje të mbahen? Në komunikim me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Almakos mëson se ky institucion kryesorë dhe përgjegjës për organimizimin e zgjedhjeve është gati për lokalet. Nga KSHZ thonë se deri sot asnjë qytetarë ose parti politike nuk është ankuar për listën e votuesve dhe se e njejta në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, është e përditësuar.
“Lista ka qenë në shqyrtim për të gjithë qytetarët dhe KSHZ-ja të njejtën listë të azhuruar ka pasur për detyrë që në afat prej 5 ditëve ta dërgoj deri tek partitë politike. Gjithashtu, partitë politike në afat prej 5 ditëve duhet të dorëzojnë deri tek KSHZ nëse kanë kërkesa përsa i përket listës zgjedhore nëse kanë shlyerje ose ndryshim i të dhënave. Deri tani në KSHZ nuk është parashturar ndonjë kërkesë nga ana e qytetarëve në lidhje me ndonjë problem ose ankesë nga partitë politike. Lista ka qenë e azhuruar dhe të dhënat janë marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe është përpunuar nga Enti i statistikave. KSHZ është veçmë gati për zgjedhjet lokale duke marrur parasysh se edhe ka implementuar planin e qeverisë, planin 3-6-9”, u përgjigjën për Almakos nga KSHZ-ja.
Mirëpo nuk mendojnë të gjithë se KSHZ teknikisht është gati sa më mirë t’i organizoj zgjedhjet lokale. Ish-kryetari i KSHZ-së Aleksandar Novakovski metodologjinë e kryqëzimit e konsideron si të dështuar dhe KSHZ ka dështuar që të kthejë besimin e qytetarëve tek lista zgjedhore.
“Prej zgjedhjeve të vitit 2016 kanë kaluar rreth 9-10 muaj dhe mendoj që nuk është tentuar të bëhet pastrimi i listës së votuesve. Metodologjia e kryqëzimit të të dhënave e votuar nga partitë politike dhe KSHZ-së, nuk dhanë rezultate, përshkak se siç thash, kishim probleme në zgjedhjet e vitit të kaluar. Unë përshkak se nuk kam informata, nuk mund të them si është lista zgjedhore për momentin, mirëpo sipas meje u bënë shumë eksperimente dhe nuk u kthye besimi tek lista zgjedhore, gjë që mund të bëheshte për dy deri tre muaj sikur KSHZ të ndërrmerte hapat e nevojshme dhe të duhura”, deklaroi ish kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski.
Përndryshe, reagime dhe rekomandime për sistem të përmirësuar zgjedhor për KSHZ-në kishte edhe nga OSBE, mirëpo këto reagime nga KSHZ-ja vlerësohen se janë në drejtim të avancimit të sistemit zgjedhor dhe nuk kanë kahje politike./ Almakos
Përgatiti: Blerim Ismaili


