Që nga marrja e mandatit si anëtar i KSHZ-së e deri në dorëzimin e këtij posti, Bedredin Ibrahimin e kanë shoqëruar zënkat me gazetarët, edhe atë kryesisht me mediat shqiptare. Pavarësisht se Ibrahimi përfaqëson Partinë Demokratike Shqiptare në kolltukun e KSHZ-së, ai edhe sot refuzoi të jep deklaratën në gjuhën shqipe. Gjatë paraqitjes së sotme ku Ibrahimi shprehi pakënaqësi për vendimin e djeshëm të Kuvendit përmes së cilit është shpallur konkurs për zëvendësimin e tij në KSHZ me një anëtar të Lëvizjes Besa, Ibrahimi akuzoi mediat shqiptare për mos-respekt dhe për neglizhencë ndaj tij.
Megjithatë Alsat ka tentuar disa herë që të bie në kontakt me Ibrahimin për të marr sqarim lidhur me aktivitete të tjera në KSHZ por së fundmi edhe me mandatin e tij në këtë institucion. Ibraimi ka mbyllur disa herë telefonin duke na urdhëruar të lexojmë ligjin dhe të mos e shqetësojmë më shumë. Ai madje është përgjigjur se nuk na nevojë për publicitet dhe nuk e ka për detyrë të na japë sqarime. Në njërën nga seancat që u paraprinë përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit, Ibraimi para të gjithë anëtarëve të KSHZ-së dhe para përfaqësuesve të mediave, zëshëm kërkoi nga mediat të mos e ftojnë në debate dhe për deklarata, nëse nuk janë të gatshme të paguajnë kompensim prej 500 eurosh për orë dhe për kohën e humbur. Sipas tij, kjo është praktikë e të gjithë mediave në vendet e jashtme. Ndryshe, Ibraimi ka qenë edhe pjesë e të ashtuquajturave bomba dhe ndaj tij ka hetim të hapur në Prokurorinë Speciale për keqpërdorim të detyrës dhe parregullsi zgjedhore.
Vjollca Aliti

