KShPK-ja shpreh shqetësim lidhur me Ligjin për “Shkupi, Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028″, duke kërkuar nga autoritetet t’u përmbahen mekanizmave të Ligjit për furnizimet publike. Ata rikujtojnë se miratimi i ligjeve me procedurë të shkurtuar, me të cilat anashkalohet zbatimi i ligjeve sistemore, tashmë është identifikuar si një rrezik i lartë për korrupsion. Sipas KShPK-së, zbatimi i parimeve të transparencës, trajtimit të barabartë, konkurrencës së lirë dhe të ndershme, ekonomisë, llogaridhënies, integritetit dhe kontrollit efektiv nuk duhet të vihet në dyshim, pavarësisht nga forma institucionale përmes së cilës do të zbatohet projekti.
“Çdo zgjidhje ligjore që parashikon përjashtimin ose kufizimin e zbatimit të ligjeve sistemike, veçanërisht Ligjit për furnizim publik, duhet të shpjegohet qartë, hollësisht dhe bindshëm nga perspektiva e interesit publik, domosdoshmëria e një përjashtimi të tillë, proporcionaliteti i tij dhe vendosja e mekanizmave efikas për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.”, – deklaroi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
Po ashtu në seancën e sotme anëtarët e KShPK-së konstatuan se 30 funksionarë të emëruar së fundmi nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore dhe interesave. Bëhet fjalë për persona të emëruar nga Qeveria në pozita drejtorësh, ushtrues detyre drejtorë dhe anëtarë të këshillave drejtues e mbikëqyrës në ndërmarrjet publike. Kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul, tha se institucioni po i monitoron këto raste dhe se për secilin prej tyre do të formohen lëndë, pas së cilave do të iniciohen procedurat përkatëse për kundërvajtje.
“Po ndjekim nëse e kanë përmbushur obligimin ligjor për dorëzimin e deklaratave për gjendjen pasurore dhe interesat brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Kontrolli i fundit që është kryer i referohet muajit prill 2026, me ç’rast KShPK-ja konstatoi se gjithsej 30 persona të sapozgjedhur dhe të emëruar, përkatësisht persona të cilëve u ka përfunduar mandati gjatë muajit prill, nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore dhe interesave. Të gjithë këta rreth 30 persona janë emëruar nga Qeveria e RVM-së në pozita drejtorësh, ushtrues detyre drejtorë dhe anëtarë të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës në ndërmarrjet publike.”, – theksoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
Antikorrupsionarët vazhdojnë të monitorojnë edhe zgjedhjet dhe emërimet e tjera të funksionarëve shtetërorë. Në seancën e sotme një pjesë e madhe e kallëzimeve të paraqitura më herët u hodhën poshtë, pasi nuk ishin të mbështetura dhe të argumentuara mjaftueshëm. Në të njëjtën seancë, anëtarët e KShPK-së njëzëri zgjodhën Besnik Xhemailin për zëvendëskryetar të KShPK-së.



