Me iniciativë të Departamentit të Diplomacisë Publike në NATO, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryesoi delegacionin e deputetëve për vizitë pune në NATO.
Siç informon Kabineti i Gashit, në delegacion ishin koordinatorët e grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Micevski dhe Oliver Spasovski, zëvendëskoordinatoret e VLEN-it dhe BDI-së, Merita Kolçi-Koxhaxhiku dhe Arbana Pasholli, deputeti nga ZNAM, Pavle Arsoski dhe shefi i Delegacionit të Kuvendit në AP të NATO-s, Dragan Kovaçki.
“Në takimin me Boris Ruge, zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s, Kryetari Gashi, në dritën e sfidave aktuale të sigurisë, e theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në drejtimin e politikës dhe promovimin e atmosferës dhe stabilitetit rajonal. Si vend që nuk është anëtar i BE-së, por është pjesë e Krahut Jugor të NATO-s, vendi angazhohet për bashkëpunimin dinamik dhe vizionar për të forcuar gatishmërinë e mbrojtjes për t’iu përgjigjur të gjitha kërcënimeve reale të çdo lloji (lufta hibride, lufta kundër dezinformatave, rezistenca ndaj ndikimeve malinje nga vendet e treta, etj.). U bisedua edhe për partneritetin unik dhe thelbësor me Bashkimin Evropian për të forcuar komplementaritetin e tij strategjik me NATO-n, me theks të veçantë në të gjitha vendet anëtare dhe parlamentet e tyre, të cilat duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë Dialogut Strukturor NATO-BE”, bëhet e ditur në kumtesë.
Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjet “për ruajtjen e momentumit në marrëdhëniet NATO-Ukrainë duke ofruar ndihmë të vazhdueshme, në bazë bilaterale dhe përmes Pakos Gjithëpërfshirëse të Ndihmës”.
“Në të njëjtën kohë, ishte theksuar qëndrimi i prerë i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të saj për mbështetje të mëtutjeshme të politikës së dyerve të hapura dhe përkushtimit ndaj angazhimeve të NATO-s, të miratuar dhe konfirmuar përsëri në Samitin e Uashingtonit, për ndarjen e +2% të BPV-së për mbrojtje”, informon Kabineti i Gashit.
Gjatë kohës së vizitës së punës të NATO-s, u realizuan brifingje me Petër Lunak, zëvendësshef i Departamentit të Diplomacisë Publike; me Nina Solan, shefe e Departamentit të Çështjeve Politike dhe Politikës së Sigurisë; Nikola de Santis nga Departamenti i Diplomacisë Publike dhe me Ariella Viehe nga Departamenti i Operacioneve.
“Në brifingjet, Kryetari dhe Delegacioni u njoftuan me funksionimin e departamenteve, marrëdhëniet me vendet anëtare të NATO-s, realizimin e aktiviteteve të misioneve të përhershme, angazhimet e vendeve anëtare në misionet paqeruajtëse dhe këshillëdhënëse në rajonet e krizës dhe shkallën e gatishmërisë në përgjigjen e sfidave të sigurisë”, bëhet e ditur në kumtesë.