Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Vendimi i është dorëzuar institucioneve përkatëse për organizimin e procesit zgjedhor.
Gashi theksoi rëndësinë e mbajtjes së një gare të ndershme dhe demokratike, duke u bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të tregojnë maturi politike dhe të shmangin gjuhën përçarëse apo keqpërdorimin e burimeve publike.
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, e cila nis 20 ditë para ditës së votimit, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin në aspektin administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare. Ky vendim synon të parandalojë përdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe t’u krijojë hapësirë deputetëve për t’u angazhuar me qytetarët.
“Zgjedhjet nuk janë vetëm një proces teknik, por përfaqësojnë thelbin e demokracisë. Ato janë mundësia që qytetarët të zgjedhin udhëheqës me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj interesit publik”, deklaroi Gashi, duke e cilësuar datën 19 tetor si një moment të rëndësishëm për forcimin e institucioneve demokratike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ai shprehu pritshmëritë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet evropiane dhe të reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.