Kryetari i Komunës së Likovës ka bërë të ditur se është miratuar plani urbanistik për ndërtimin e çerdhes së tretë në territorin e komunës, një projekt që do të përmirësojë ndjeshëm kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore.
Sipas tij, çerdhja e re do të ndërtohet mes fshatrave Llojan dhe Vaksincë dhe do të jetë në shërbim të familjeve nga të dyja vendbanimet.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për komunën tonë. Me miratimin e planit urbanistik kemi krijuar bazën ligjore për realizimin e këtij projekti, i cili do t’u ofrojë fëmijëve kushte më të mira dhe do të lehtësojë prindërit që kanë nevojë për shërbime të kujdesit parashkollor,” u shpreh kryetari i komunës.
Ai theksoi se investimi është pjesë e angazhimit të Komunës së Likovës për të zgjeruar infrastrukturën arsimore dhe sociale, duke iu përgjigjur nevojave në rritje të banorëve.
Ndërtimi i çerdhes mes Llojanit dhe Vaksincës pritet të përfitojë dhjetëra familje, duke krijuar kushte më të mira për edukimin e hershëm të fëmijëve dhe duke rritur kapacitetet e kujdesit parashkollor në komunë.



