Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të edicionit të 23-të të Doha Forum në Katar, një prej ngjarjeve më të rëndësishme diplomatike në nivel global.
“Në Katar, pata nderin të marr pjesë në hapjen zyrtare të edicionit të 23-të të Doha Forum,” shkruan Gashi, duke e cilësuar këtë aktivitet si “një ngjarje të jashtëzakonshme nën patronatin e Emirit të Katarit, Sheikut Tamim bin Hamad bin Thani”.
Ai theksoi rëndësinë e forumit, të cilin e vlerësoi si “një platformë të rëndësishme globale për dialog, diplomaci dhe ide të reja drejt një bote më të drejtë dhe më të qëndrueshme”.
Sipas kryeparlamentarit, Doha Forum mbledh liderë politikë, ekspertë dhe personalitete nga e gjithë bota me qëllim diskutimin e sfidave globale dhe kërkimin e zgjidhjeve inovative.
Gjatë qëndrimit në Katar, Gashi pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe, në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të prioriteteve strategjike të vendit.


