Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me rastin e festës së Ramazan Bajramit i dërgoi një urim kreut të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, reis ulema haxhi Sulejman Rexhepi dhe gjithë qytetarët që e festojnë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ua uroj festën e madhe të Ramazan Bajramit juve, anëtarëve të Bashkësisë Fetare Islame dhe të gjithë qytetarëve që e festojnë, në emrin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim. Festat e shenjta, siç është Ramazan Bajrami sjellin fuqi të mëdha shpirtërore e cila forcon besimin e njerëzve në të mirën, të vërtetën, drejtësinë dhe nxit dëshirën për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim, solidaritet. Këto janë vlerat që shpiejnë drejt jetës së qetë dhe të lumtur. Ndërsa njeriu mund të jetë vërtetë i qetë dhe lumtur, nëse jeton në një shoqëri me njerëz të qetë dhe të lumtur”, thuhet në urim.
Kryeministri Zaev më tej në urimin e tij shkruan se “Andaj qytetarë të respektuar, të vazhdojmë në rrugën që zgjodhëm, të bashkuar dhe unik. Filluam të ndërtojmë një shoqëri të përbashkët për të gjithë qytetarët, me shanse të barabarta për secilin dhe e di se bashkarisht do të arrijmë të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë ne. Jeni të ndershëm dhe qytetarë të përgjegjshëm ndaj vetes, ndaj familjes dhe ndaj shtetit. Ardhmëria jonë e përbashkët është në Maqedoninë e përparuar ekonomikisht dhe prosperuese, në të bashkë investojmë dhe bashkë do të arrijmë”.

