Duke i rikthyer vizitën homologut të tij Nikolla Dimitrov, kreu i diplomacisë greke Kotzias kërkon të hedhë një hap të rëndësishëm për përfundimin e negociatave për përmbylljen e çështjes së emrit, që qëndron i pazgjidhur midis dy shteteve që nga mëvetësimi i Maqedonisë.
Edhe Kotzias, si paraardhësit e tij në krye të Ministrisë së Jashtme, do të vizitojë Shkupin nëpërmjet Selanikut, pasi aeroporti i kryeqytetit të Maqedonisë mban emrin e Aleksandrit të Madh. Pikërisht një nga kërkesat e para të Athinës zyrtare, në mënyrë që të rikthejë në normalitet marrëdhëniet me fqinjin e saj verior, është ndyshimi i emrit të këtij aeroporti.
Siç thekson gazeta e djathtë greke “Demokracia”, Kotzias vjen kësaj here në Shkup për të testuar nëse ka vullnet nga pala tjetër dhe sjell një propozim të ri ndaj Qeverisë së Zaevit, e cila e shihte me pozitivitet në fillim kërkesën e Athinës për prishjen e monumenteve të Aleksandrit të Madh, por ka nxjerrë si shkak për mosrealizimin, mungesën e fondeve.
Gjithsesi, Athina nuk pret rezultate të menjëhershme nga kjo vizitë, pasi sipas qarqeve diplomatike, qeveria e re e Zaevit, me një shumicë të brishtë në Parlament, ka para saj zgjedhjet lokale të tetorit dhe do të ketë nga ana e saj vetëm deklarata për rikthimin e besimit politik ndaj fqinjëve.
Megjithatë, në tavolinën e bisedimeve mes Dimitrovit dhe Kotziasit, nuk do të jetë çështja e emrit, por masat për ndërtimin e besimit dhe implementimi i deritanishëm.
Përpara vizitës së ministrit grek, një grup pune nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë, do të udhëtojë për në Athinë ku do të harmonizojnë qëndrimet për një pako të re të masave për përmirësimin e raporteve bilaterale ekonomike, transportuese dhe energjetike.
Vizita e Kotzias në Shkup, pas takimit të tij në Bruksel me ndërmjetësin për çështjen e emrit, Metju Nimic, paraqet edhe një tjetër tentim për harmonizim të qëndrimeve për zgjidhje të mundshme për çështjen e hapur Nimic pas takimit me shefin e diplomacisë greke, ka thënë se ekziston impuls i ri në tentimin për zgjidhjen e problemit, ndërkaq kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga Durrësi ka deklaruar se pret që ndërmjetësi t’i paraqesë propozime të reja për zgjidhjen e problemit deri në fund të vitit. Ajnur Bafqari

