Hyrje
Hamdi Nuhiju
Lufta midis Federatës Ruse dhe Ukrainës ka ngritur çmimet në qiell, ka shkatërruar ekonomitë e qindra shteteve si dhe i ka destabilizuar . Kjo krizë erdhi menjëherë pas pandemisë Kovid 19 për të cilën teoritë e ndryshme të konspiracionit alarmuan për një pandemi artificiale, të rrejshme, e krijuar prej laboratorëve biologjike në Kinë.
Britania e madhe përmes një referendumi për dalje prej Bashkimit Evropian të organizuar me 23 qershor të vitit 2016 në të cilën votuan 46.501.241 banor të këtij territori, ku 51.9 % ose 17.410.742 vota ishin për dalje[1] prej Bashkimit Evropian, ndërsa 48.1 % ose 16.141.241 votues ishin për qëndrim në Bashkimin Evropian, përfundimisht zgjodhi rrugën e daljes prej këtij Unioni.
Përflitej se edhe Italia do të ndjek rrugën e Britanisë së Madhe, por pasojat e pandemisë Kovid 19, siç duket e ndalën për një kohë këtë shtet të ndërmarr një hap të këtillë.
Megjithatë, përskaj të gjitha tendencave, krizave dhe ndryshimeve të ekuilibrave në botë, lufta hibride, propagandistike dhe manipuluese nuk ndalet asnjëherë. Si mjet tejet efikas në këtë përballje janë mediet, ndërsa si kanal po përdoret kronika e zezë.
Shtetet e ndryshme në botë po alarmojnë për një krizë energjetike, reduktim të rrymës, si dhe ngritjen e vazhdueshme të çmimeve bazë. Inflacioni në Bashkimin Evropian ka arritur përmasa të frikshme. Se si do të stabilizohen çmimet, kjo gjë ngel që të kuptohet pas një dimri të gjatë dhe tejet të vështirë.
Ngritja e çmimeve të energjisë elektrike
Çmimet e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut janë rritur dukshëm. Janë krijuar edhe katër blloqe tarifore përmes të cilave do të bëhet përllogaritja e çmimeve të energjisë elektrike. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes disa masave ka tentuar që ti ndihmojë familjet në nevojë përmes subvencionimit të çmimit të energjisë elektrike. Por këto masa janë të pamjaftueshme në raport me lëvizjen e shpejt të çmimeve të energjisë elektrike.
Situata përfundimtare nuk është e mirë. Çmimet e energjisë elektrike janë në ngritje e sipër. Qytetarët janë të shqetësuar edhe për paralajmërimin për reduktimet e mundshme elektrike, ndërsa në medie, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se nuk do të lejojnë që të hiqet së paku tarifa e lirë e energjisë elektrike. [2]
Përndryshe si rezultat i faturave të larta të rrymës, disa hotele në Ohër dhe Strugë kanë paralajmëruar se do të ndërpresin aktivitetin e tyre.[3]
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka nisur një ofanzivë diplomatike për të kërkuar furnizimin me energji elektrike nga shtetet fqinje, sidomos nga Greqia dhe Bullgaria. Është interesant dhe i habitshëm fakti, se ky shtet edhe pse ka probleme esenciale me këto dy shtete, në momente të krizës gjen formën dhe mënyrën se si të bashkëpunoje për t`u furnizuar me energji elektrike.
Po ashtu edhe mekanizmi “Open Ballkan” po vihet në lëvizje drejt bashkimit të forcave të shteteve anëtare të këtij mekanizmi me qëllim të përballimit të krizës me energji elektrike si dhe problemeve tjera me mungesën e produkteve ushqimore.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në korniza të përballimit me krizën energjetike ka paralajmëruar edhe masat për kursimin e energjisë elektrike. Do të ndërpritet energjia elektrike prej disa institucioneve publike, por edhe prej hapësirave publike. Siç duket do ta kemi një dimër të errët, ose një parajsë të veçantë për kriminelët, hajdutët dhe aktorët e kronikës së zezë. Rrymë nuk do të ketë, kronikë të zezë po!
Komunat e Pollogut kërkuan nga Ministria e arsimit dhe shkencës që gjatë dimrit fëmijët të pushojnë dy muaj, por menjëherë erdhi përgjigja nga ana e ministrisë të cilët e refuzuan një kërkesë të këtillë.
Krizë ka, por jo aq sa duan tregtarët
Gjatë muajit qershor të vitit 2022, por edhe më vonë, në disa shitore në Maqedoninë e Veriut janë konstatuar parregullsi të ndryshme dhe manipulime me çmime nga tregtar të ndryshëm të cilët nuk i kanë respektuar masat e propozuara nga qeveria.
Masat e qeverisë kanë pasur për qëllim që ta mbrojnë qytetarin, por njëkohësisht edhe ti shohin interesat e bizneseve duke mos i dëmtuar të njëjtat. Por, çmimet në raftet e shitoreve, me masat e propozuara të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë shumë dallim.[4]
Siç duket ky element i ka pëlqyer tregtarëve për të krijuar një imazh, krizë artificiale, njëjtë sic veprojnë metodat e luftës kulturore që përdoren në kronikën e zezë.
Prof. Nevzat Tarhan në librin e tij Lufta psikologjike, në faqen 103 shkruan:
“Metoda strategjike e luftës kulturore është metoda e luftës psikologjike e përdorur me qëllim të formimit të kënaqësive dhe formësimit të mendjeve të shoqërisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, shoqëria sovjetike ua kishte lakmi vlerave perëndimore. Ata që kanë jetuar në ato vite kujtojnë faktin se pantallonat xhinse janë kontrabanduar në Rusi”.
Këtë metodë e kanë përdorur shumë shitore të mëdha duke zbrazur qëllimisht shitoret e tyre prej produkteve për të krijuar një imazh të mungesës së produkteve ushqimore, detyruar Inspektoratin e tregut për kontroll, si dhe vërshimin në masë të njerëzve për t`u furnizuar për në kohë krize. Termin krizë e kanë përvetësuar këto njerëz njëjtë siç i përvetësonin vlerat perëndimore ruset gjatë Luftës së Ftohtë.
Përfundim
Robert B.Cialdini në librin e tij me titull Influenca Psikologjia e Bindjes, në faqen 94 shkruan:
“Në Kore u përdorën disa mjete të sofistikuara për ti bërë të burgosurit të shkruanin atë që donin kinezët, pa presion të drejtë për drejtë. Për shembull, kinezët e dinin se shumë të burgosur dëshironin tua bënin me dije familjeve që ishin gjallë. Në të njëjtën kohë, të burgosurit e dinin që robëruesit e tyre e censuronin postën dhe vetëm disa letra lejoheshin të dilnin jashtë kampit. Për tu siguruar që letrat e tyre do të lejoheshin, disa të burgosur filluan të përfshinin në mesazhet e tyre thirrje për paqe, pretendime për sjellje të mirë dhe deklarata dashamirëse ndaj komunizmit. Shpresa ishte se kinezët do të donin që letra të tilla të dilnin në publik dhe sigurisht, do të lejonin dërgimin e tyre.”
Kjo mënyrë e sjelljes së të burgosurve koreanë ishte mënyrë mbijetese, por edhe formë e bindjes e cila ishte dritare e vetme e komunikimit të tyre me botën e jashtme. E dini, në kohën e pandemisë Kovid 19, dritarja e vetme e të vërtetës ishte ajo e ofruar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe çdo informacion i vërtet ose jo i vërtetë prej burimeve tjera të informimit cenzurohej nga ana e të gjitha mekanizmave shtetëror.
Ushtarët korean duke treguar dëgjueshmëri ndaj komunizmit dhe thurur lavde për këtë sistem, gjenin formë të komunikimit më botën e jashtme, në të njëjtën kohë edhe iu shpërlahej truri, pasojat e të cilës do t`i vuanin tërë jetën.
Nobelisti Milton Friedman në librin Kapitalizmi dhe Liria në faqen 19, ndërmjet tjerash shkruan:
“Për të hedhur cdo ide, sado e çuditshme të jetë, në shoqërinë kapitaliste mjafton të bindësh disa njerëz të pasur për të marrë fonde dhe ka kaq shumë persona të tillë, si dhe kaq shumë burime të pavarura mbështetjeje. Sigurisht nuk është as edhe e nevojshme t`u mbushësh atyre mendjen se propaganda do të jetë financiarisht e suksesshme, se gazeta ose revista ose libri do të janë fitimprurës.”
Kjo krizë të cilën po e përjetojmë dhe pasojat e të cilës po i vuajmë nga ana e luftës Rusi-Ukrainë, duket paksa e fryrë prej të gjitha shtresave të shoqërisë, e më së shumti prej kapitalistëve dhe oligarkisë. Vet fakti i manipulimit me çmimeve dhe krijimi i hapësirës qeveritare për pasurimin e kronikës së zezë në sezonin kur dita është tepër e shkurtër dhe nata e gjatë, është një dëshmi e kësaj.
Plus kësaj, edhe efekti i medieve, idetë që hidhen në opinion si dhe përsëritja e një ideje duke e shndërruar në fakt, është duke krijuar pasiguri tek shumica e njerëzve të cilët nën ndikimin e tyre janë duke marr vendime që nuk janë në favorin individual.
________________________________________
[1] UK votes to LEAVE the EU ( https://www.bbc.co.uk/news/politics/eu_referendum/results )
[2] Bekteshi: Nuk do të hiqet tarifa e lirë e energjisë elektrike ( https://shqip.republika.mk/bekteshi-nuk-do-te-hiqet…/ )
[3] FATURAT E LARTA TË RRYMËS RREZIKOJNË PUNËN E HOTELEVE (https://kdpolitik.com/…/faturat-e-larta-te-rrymes…/ )
[4] Maqedoni: Inspektorati i Tregut del në terren, konstatohen parregullësi në çmimet e produkteve (https://telegrafi.com/maqedoni-inspektorati-tregut-del…/ )