Mungesa e sociologëve, psikologëve dhe stafit tjetër profesional vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur me vite për shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë. Derisa ekspertët vazhdimisht theksojnë nevojën dhe rolin të tyre në shkolla, autoritetet komunale vazhdojnë të ankohen se me pushtetin e kaluar qendror nuk kanë pasur bashkëpunim, shkruan Portalb.mk.
Në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë mungojnë kuadro të ndryshëm të stafit profesionist si psikologë, sociologë, defektologë, pedagogë dhe të tjerë.
Për këtë problem, kryetarja e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve Blerta Ahmedi thekson se shërbimet profesionale të shkollave, si psikologu, pedagogu, punëtori social luajnë një rol thelbësor në identifikimin dhe adresimin e hershëm të problemeve emocionale dhe sociale të nxënësve, duke ndihmuar në reduktimin e sjelljeve devijante dhe negative të fëmijëve.

“Në shkolla të caktuara ku ka numër të madh të nxënësve, shërbimet profesionale janë të ngarkuara me punë administrative dhe kjo i pengon që ata të jenë në kontakt më të gjatë me nxënësit. Prandaj, investimi në staf profesional në shkolla mbetet një domosdoshmëri për të siguruar një mjedis arsimor të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë”, tha Blerta Ahmedi.
Ajo shtoi se përmes këshillimit dhe mbështetjes së vazhdueshme, ata mund të ndihmojnë nxënësit që të përmirësojnë aftësitë e komunikimit dhe të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme në ambientin shkollor.
“Një aspekt tjetër i rëndësishëm është ndikimi i tyre në ndërgjegjësimin e nxënësve për të identifikuar dhe reaguar ndaj dhunës mes bashkëmoshatarëve, përfshirë bullizmin, si dhe në parandalimin e kësaj dukurie përmes strategjive të përshtatshme edukative”, tha Blerta Ahmedi.
Nga ana tjetër nga Komuna e Tetovës arsyetohen. Kryetari i Komunës Bilall Kasami për Portalb.mk tha se mungesa e stafit profesional nëpër shkolla është problem i akumuluar ndër vite, ndërsa këto tre vitet e fundit nuk kanë marrë gati se asnjë pëlqim nga pushteti qendror.
Ai tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të gjejnë zgjidhje për këtë problem, por nuk tregoi se kur kjo pritet të përfundojë.

“Kërkesa është dorëzuar në Ministri të Arsimit, është duke u shqyrtuar, por duhet të kemi parasysh që kjo paraqet ngarkesë të buxhetit dhe duhet të gjejmë mënyrë për financimin e këtyre punësimeve të cilat po të ishin bërë në mënyrë permanente, shumë më lehtë do të kish qenë për buxhetin e shtetit se sa për një moment diku 35 punësime të bëhen në kuadër të shkollave si kuadër profesional. Ministria parimisht është dakorduar se ka nevojë dhe jemi duke shqyrtuar mënyrën se si e njëjta të realizohet. Ne si komunë kemi treguar gatishmëri që nëse janë aspektet fiskale-financiare, që edhe komuna të merr pjesë në financimin e këtyre të punësuarve”, tha Bilall Kasami.
Megjithatë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Ndryshe, nëpër shkollat e Tetovës situata është alarmante me sjelljet devijante të fëmijëve si përdorimi i narkotikëve, dhuna, bullizmi, lojërat e fatit dhe të tjera.