Маqedonia do të jetë vulnerable nëse vazhdon kriza dhe lufta e Gjirit. Gjatë krizës së mëparshme energjetike vendi kishte shkallën më të lartë të inflacionit në rajon, ndërsa për shkak të varësisë së lartë nga importi rreziku i goditjeve të reja të çmimeve është dukshëm i lartë. Për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, e cila po zgjat tashmë disa javësh, pritet rritje e mëtejshme e çmimeve të ushqimeve, pasi pothuajse një e treta e tregtisë globale të plehrave kalon nëpër Gjirin Persik. Ekspertët ekonomikë sugjerojnë që Qeveria të ofrojë mbështetje shtesë për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, ta zvogëlojë ngarkesën nga akcizat dhe ta forcojë kontrollin antimonopol dhe mbikëqyrjen inspektoriale, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
Në tryezën e rrumbullakët “Roli i tregut dhe shtetit në menaxhimin e burimeve të kufizuara”, ekspertët vlerësuan se është e pashmangshme një valë e re e inflacionit. Edhe pse nuk pritet një rritje e ndjeshme, inflacioni do të vazhdojë të rritet. Pasiguria e bën të vështirë edhe vlerësimin e rritjes ekonomike.
Taki Fiti: ulja e akcizës, kursimi dhe koordinimi i politikave
Akademiku Taki Fiti është i mendimit se ulja e akcizës do të kishte një efekt të drejtpërdrejtë në çmimin e derivateve të naftës. Sipas tij, është e nevojshme të forcohet kontrolli antimonopol, sepse disa kompani nën pretekstin e rritjes globale të çmimeve, po i rrisin çmimet e tyre të prodhimit.
Fiti thotë se nëse kriza vazhdon, do të jetë i nevojshëm një ribalanc i buxhetit, kursim dhe ulje maksimale e shpenzimeve joproduktive. Ai vlerësoi se çmimi i naftës nuk do të bjerë shpejt, ndërsa infrastrukturës së shkatërruar të naftës dhe gazit në Katar dhe Iran do i duhen muaj për t’u rindërtuar.
Vanço Uzunov: Qeveria është vonë, inflacioni është kronik
Profesori Vanço Uzunov është i mendimit se masat e qeverisë janë të vonuara dhe të pamjaftueshme, veçanërisht në kushtet kur çmimi i naftës ka shkaktuar tashmë një rritje të shpenzimeve në numrin më të madh të sektorëve.
“Kategoritë më të cenueshme janë tashmë të varfra, ndërsa disa nga qytetarët që nuk ishin nën pragun e varfërisë së shpejti mund të gjenden atje”, paralajmëroi Uzunov. Ai bëri thirrje për masa selektive dhe një plan të qartë, jo, siç tha ai, mesazhe të tipit “mos u shqetësoni, po e ndjekim situatën”.
Sipas tij inflacioni në vend është bërë kronik dhe shteti nuk po bën mjaftueshëm për ta ndaluar këtë trend.
Borçe Trenovski: çdo masë e ka një çmim
Profesori Borçe Trenovski paralajmëron se çdo masë antikrizë ka një barrë financiare: “Çfarëdo mase që të merrni, dikush duhet ta paguajë koston, ose shteti përmes tatimeve të të gjithë qytetarëve ose biznesit, përmes rritjes së çmimeve të tyre, ose qytetarët përmes uljes së standardit të tyre të jetesës”, tha ai.
Sipas profesorit, skenari më i mirë është që të gjithë të marrin pjesë në pjesën e tyre dhe të gjithë të mbajnë një pjesë të rrezikut në të cilin ndodhemi. Ai bën thirrje për përdorim të kujdesshëm të fondeve publike dhe një shtet dhe treg efikas. Pasiguria rreth çmimeve të energjisë, normave të interesit dhe rritjes evropiane e bën të vështirë çdo parashikim ekonomik.
Kryeministri qetëson: situata është e qëndrueshme, rezervat janë siguruar
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se pavarësisht krizës globale situata energjetike është e qëndrueshme. Sipas tij janë siguruar rreth 165.000 ton qymyr, hidroakumulacionet janë 40% të mbushura dhe gaz ka deri në fund të prillit. Nga foltorja në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare, ai vlerësoi se shteti “eksporton stabilitet”, sepse furnizon disa aeroporte të huaja me kerozin.
Edhe ministri i ekonomisë, Besar Durmishi, është i mendimit se shteti reagoi në kohën e duhur duke e ulur TVSH-në për naftën nga 18% në 10% dhe duke i monitoruar vazhdimisht çmimet e produkteve bazë. Ai informoi se janë caktuar 30 ekipe mobile të inspektoratit të tregut, të cilat po e monitorojnë intensivisht zinxhirin e furnizimit. Deri më tani, sipas tij, nuk janë identifikuar rritje të palogjikshme.
Durmishi thotë se në dy muajt e fundit inflacioni ka qenë në rënie, gjë që tregon për stabilizim.
Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale, veçanërisht në energji dhe zinxhirët e furnizimit. Rritja e pasigurisë në këtë rajon ka shkaktuar luhatje në çmimet e naftës dhe transportit, të cilat më pas reflektohen në koston e prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore. Si rrjedhojë, edhe ekonomitë më të vogla dhe të varura nga importi, si ajo e Maqedonisë së Veriut, ndjejnë efektin zinxhir, ku çdo rritje e kostove në nivel global përkthehet gradualisht në çmime më të larta për konsumatorët në raftet e supermarketeve.


