Aleksandër Çipa
Në zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan fundjavën e shkuar në Serbi, shqiptarët e Preshevës humbën përfaqësimin në Parlamentin serb me një deputet, i cili është Fatmir Hasani nga Partia Për Veprim Demokratik. Në Parlamentin e shkuar ata kishin dy deputetë, “historikun” Riza Halimi dhe Shaip Kamberi. Natyrisht kjo nuk sjell ndonjë ndryshim esencial në gjendjen dhe sidomos statusin politik të tyre nën Serbi. Por arsyeja e humbjes së një deputeti është ajo që të brengos. Në tri qendrat e populluara prej shqiptarëve në Luginën e Preshevës, provat e copëzimit të përfaqësimit politik dhe partiak shtohen në mënyrën më të papërgjegjshme dhe të paarsyeshme për interesin e pakicës sonë. Janë zyrtarisht 10 parti të regjistruara, nga të cilat shtatë më aktive(!). Dhe bëhet fjalë për rreth 60 mijë shqiptarë.
Kjo që po ngjet është e vetmja provë e plotë parathënëse e vijimit të mëtejshëm të historisë së zbrazjes së trojeve nga shqiptarët. Në Medvegjë ku kanë mbetur vetëm rreth 400 shqiptarë. Ndërsa në fshatrat e tjerë, numri i partive marrëzisht shtohet ndonëse emrin e kanë të tillë, por në të vërtetë janë disa organizata që as për vete nuk bëjnë dot emër, e as për qytetarët nuk ofrojnë shërbesë. Kjo dasi vijuese në grupe e parti politike është një marrëzi e pandalshme dhe që nuk pason me reagime dhe konsultime të institucioneve apo diplomacisë shqiptare si në Tiranë ashtu edhe në Kosovë. Arsyet pse copëzohen nuk është e vështirë të njihen apo përcaktohen.
Po kaq problematik është copëzimi i përfaqësimit politik e partiak të shqiptarëve në Mal të Zi. Aty për shkak të diversitetit absurd të brendshëm, jo vetëm që ekziston një numër alogjik partish, janë 12 të tilla, por mundësohet që të riciklohen histori të humbjes së të drejtës qeverisëse në njësi vendore apo edhe në nivel kombëtar. Në mënyrë të përsëritur shqiptarët kanë rrezikuar vetëqeverisjen e qyteteve historike të tyre si Ulqini, Tuzi etj. Për shkak të këtij fragmentarizimi të përfaqësimit, prezenca e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi është minore dhe në rënie e degradim të përhershëm. Sikundër edhe në administratën publike nuk arrihen e nuk plotësohen kuotat e përfshirjes së shqiptarëve si pakicë e rëndësishme dhe kryesore e vendit. Në të dyja rastet, edhe te shqiptarët në Preshevë ashtu edhe tek ata në Mal të Zi, kemi të bëjmë jo vetëm me një fenomen të mbajtur në status-quo, por edhe me një indiferencë institucionale kombëtare, e cila nuk i përket vetëm Shqipërisë zyrtare, por tashmë edhe Kosovës.
Në emër të mosndërhyrjes apo të mospërfshirjes në “punët e brendshme”, diplomacia institucionale si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovën rishtare, po krijohet një boshllëk me pasoja dhe me kosto. Ky është një vakum, vështirë i riparueshëm për të ardhmen e shqiptarëve, aty ku jetojnë dhe do të jetojnë në shtetet fqinje ballkanase. Pse duhet të mbesë e tillë kjo gjendje dhe pse duhet lënë në fuqi kjo papërgjegjshmëri anti-interesave kombëtare të shqiptarëve? Si funksionon dhe si duhet alternuar mes institucioneve dhe diplomacisë institucionale të Shqipërisë dhe Kosovës për një axhendë më mirë të formuluar të përmirësimit dhe përfitimit shqiptar në mundësitë dhe legjitimitetet e përfaqësimit institucional të pakicave shqiptare në shtetet fqinje? A është dhe duhet të bëhet pjesë e strategjisë kombëtare të përfaqësimit dhe përfshirjes së shqiptarëve kjo, pavarësisht nga shtetet ku ata jetojnë?
Për këtë realitet të injoruar, nuk vlen më të humbet koha e reagimit dhe kontributit ndihmues. Pakicat shqiptare në këto dy shtete fqinje, ku realiteti fatmirësisht ka ndryshuar në favor të standardeve dhe rrjedhës së integrimeve, nevojitet të përjetojnë një epokë të re. Tirana dhe Prishtina, sidomos në takimet bilaterale të dy qeverive, kanë gjithë të drejtën e tyre për të ndërtuar një axhendë të posaçme diskutimi dhe ndihmese për këtë çështje. Frymëzuesit dhe indikatorët publikë në krejt hapësirën le të ofrojnë qasjen e tyre për një prirje bashkuese dhe përmirësim të cilësisë së përfaqësimit të shqiptarëve në partitë politike. Unifikimi është vlerë dhe indikator i fuqishëm i drejtpërfaqësimit dhe kurajës vetëqeverisëse të pakicave në përgjithësi. Kjo vlen dhe nevojitet të përqafohet edhe nga shqiptarët në Serbi e në Mal të Zi. Krejt e ndryshme është situata dhe realiteti me shqiptarët si element shtetformues në Maqedoni. Partitizmi shqiptar në këtë republikë po vuan sëmundjet e njëjta me dy shtetet shqiptare, si në Shqipëri dhe Kosovë. Ndonëse aty diplomacia institucionale mundëson një realitet tjetër më fyes. Analisti i angazhuar dhe shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti, me të drejtë kritikon ashpër pasivitetin e Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni lidhur me zhvillimet e fundit. “Nuk ka dyshim se Tirana zyrtare është ajo që vendos dhe që më së miri e di si duhen mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë mëmëdheut! Por, ajo që shihet nga jashtë, të lë përshtypjen se ambasada e Shqipërisë në Shkup – përpos që shërben për t’i punësuar ‘kushërinjtë’ e të mëdhenjve të Tiranës dhe të ‘tepricës teknologjike’ të diplomatëve – në masë të madhe, ishte dhe mbeti “dega” më besnike e partisë shqiptare në pushtet – BDI-së!…”
Në Maqedoni dhe sidomos te hierarkia dhe përfaqësimi partitokrat shqiptar në këtë republikë sakate, korrupto-politika është kancer i përmasave të plota malinje. Ky kancer po e bren dhe e mban përfaqësimin dhe realitetin e prapambetjes sociale e kulturore të shqiptarëve në kuotat më të ulëta të mundshme dhe i pakrahasueshëm me popullsi të tjera të rajonit ballkanik. Edhe për këtë prapambetje dhe sundim të korrupto-politikës në pjesën shqiptare të Maqedonisë, klasat politike në Shqipëri dhe Kosovë kanë jo vetëm përgjegjësi, por vjelin hisenë e tyre të përfshirjes në krim për vetëpërfitim, sikundër vijojnë shtimin e frikshëm të kostove antikombëtare.