Media sjell detajet e plota të një prej operacioneve më të rëndësishme hetimore të ndërmarra nga organet e drejtësisë kundër zyrtarëve të lartë të Qeverisë Kurti, me në qendër Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Më 27 maj 2025, Njësia e Veçantë e Hetimeve, me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar bastisje në katër lokacione kyçe të sistemit të bujqësisë: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – AUV, Zyra e kompanisë “LIP KS&IT Sh.P.K” në Ferizaj, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë – AZHB.
Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për dy vepra penale: Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar – neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ndihma – neni 33 i KPK-së
Në fokus të hetimit janë dy figura të rëndësishme: Faton Peci, ministër i MBPZHR dhe Bekim Hoxha, drejtor ekzekutiv i AUV.
Sipas hetuesve, dyshimet janë se gjatë periudhës korrik 2024 – janar 2025, Peci dhe Hoxha, duke bashkëkryer veprën penale, kanë tejkaluar kompetencat e tyre për të siguruar përfitime të kundërligjshme për vete apo për persona të tretë, në lidhje me kontratën për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore, të lidhur më 18.09.2024.
Çfarë u sekuestrua?
Gjatë bastisjes u sekuestruan pajisje elektronike, si kompjuterë dhe telefona, dokumentacion i gjerë financiar dhe zyrtar si dhe kontrata, procesverbale, e-maila zyrtarë, dhe të dhëna të tjera që mund të shërbejnë si prova në procesin penal
Çfarë ndodhi me ministrin?
Siç mëson media, Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në prani të avokatit të tij mbrojtës.
Për rastin si i dyshuar është intervistuar edhe dhe Bekim Hoxha, kryeshefi i AUV-it. Gjithashtu, është intervistuar edhe një person tjetër, N.M., në cilësinë e dëshmitarit.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PSRK, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, por hetimet mbeten aktive dhe priten zhvillime të reja.